Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëri ka rritje të investimeve të huaja dhe normën më të ulët të papunësisë prej 25 vitesh”.
Gjatë fjalës së mbajtur në Forumin Ekonomik të Tiranës, Kryeministri përmendi si histori suksesi faktin se “Shqipëria ka normën më të ulët të papunësisë prej 25 vitesh sipas BB-së dhe kjo bazuar në gjithë popullatën dhe jo vetëm tek ata që jetojnë këtu”.
Duke folur për investimet e huaja, Rama tha se “kemi nevojë të kemi shumë më tepër investime të huaja, por duke iu referuar shifrave, kemi rritje të investimeve të huaja”.
Ai u shpreh se “e kuptojmë fare mirë se duhet të përmirësojmë klimën e biznesit dhe sjelljen dhe kapacitetin e administratës tonë për çështje që lidhen me biznesin”.
“Jam optimist që gjatë këtij viti do të kemi rezultate të qenësishme. Po bëjmë shumë më të të thjesht komunikimin mes qytetarëve dhe sipërmarrjeve me administratën, duke e shkëputur tërësisht komunikimin fizik dhe duke e kthyer në dixhital. Plani ynë është që brenda 2020, 95% të shërbimeve të jenë të dixhitalizuara në lidhje me dokumentacionin. Kjo është faza e parë, faza e dytë është që gjithçka, çdo leje dhe licencë të transferohen dhe të jepen në internet. Kjo do të ndryshojë tërësisht mënyrën e komunikimit mes njerëzve dhe administratës”, – tha Rama.
Po ashtu, Rama theksoi se “përmes një vendimi qeverie kemi vendosur që të gjitha aplikimet, nga ato më të thjeshtat te ato më të ndërlikuarat duhet të përpunohen dhe duhet të marrin përgjigje brenda afateve ligjore”.
“Për çdo shkelje të këtyre afateve ligjore do të ketë një gjobë lidhur me zyrën dhe personin përgjegjës, drejtorin apo shefin e shërbimit në atë zyrë, ata do të paguajnë nga xhepi, për çdo vonesë që i shkaktohet një biznesi”, – shtoi ai. /atsh