Mjeshtri i restaurimit Frederik Stamati ka përfunduar restaurimin e flamurit të valëvitur në kongresin e Lushnjës, të mbajtur më 21-31 janar të vitit 1920, duke e kthyer atë në gjendje shumë të mirë.
Stamati, i cili ka publikuar dy fotografi, një sesi ka qenë gjendja tij përpara dhe pas restaurimit, thekson se, “e gëzofshim flamurin e Kongresit të Lushnjës. Shqipëria nuk e ka flamurin e 28 nëntorit 1912. Por nëse Kongresi i Lushnjës konsiderohet si pavarësia e dytë e Shqipërisë, atëherë ne kemi flamurin e pavarësisë së dytë të Shqipërisë”.
Sipas tij, ky është flamuri më i rëndësishëm që ka Shqipëria.
“Kujdesi ndaj ruajtjes së këtij flamuri do të jetë i vazhdueshëm, ndërsa të tjera masa me bazë shkencore do të ndërmerren në vazhdimësi”, – tha Stamati.
Më herët në një prononcim për ATSH-në, Stamati është shprehur se “flamurin e ka pasur atdhetari Veli Vasjari, i cili e ka çuar në ndërtesën ku bëheshin punimet e Kongresit të Lushnjës. Pas përfundimit të punimeve e mori përsëri në vitin 1928 ai e dhuroi në Muzeun Kombëtar. Më pas Muzeu Kombëtar e ruajti në fondet e veta, ndërsa me ndryshimet ai kaloi nga një institucion në tjetrin dhe ky flamur mbeti në fondin etnografik”.
Pas një pune të lodhshme, pasi edhe dëmtimi ka qenë i rëndë flamuri është restauruar.
“Flamuri historik i kongresit të Lushnjës u zbulua në vitin 2011 nga Ariola Prifti, e cila në atë kohë ka qenë përgjegjësja e fondit etnografik, ku ruhej flamuri”, – tha Stamati për ATSH-në.
Më 25 nëntor 2011 u identifikua në Fondin Etnografik të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, flamuri i Kongresit të Lushnjës. Ky kongres cilësohet nga njohësit e afirmuar të historisë së asaj periudhe kohore si ngjarja më madhe pas Pavarësisë dhe në mënyrë figurative, si çlirimi i dytë i vendit tonë.
Kongresi i Lushnjës ku u valëvit ky flamur i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta./atsh