Kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj, deklaroi sot se “nuk do të rresht së kërkuari që tragjedia e 21 janarit 2011, ai krim shtetëror të zbardhet duke nxjerrë përpara përgjegjësisë autorët e tij të vërtetë, sado lart qofshin ata në jetën politike të vendit”.
Në një deklaratë, Malaj, i cili në 21 janar 2011, ka qenë gardist dhe kryente detyrën pranë Kryeministrisë, thekson se “21 janari është një tragjedi me të cilën mua më është dashur të jetoj çdo ditë gjatë 9 viteve të fundit. Unë nuk humba në atë tragjedi asnjë pjesëtar të familjes time. Por ka megjithatë diçka që më bashkon mua, ish “gardistin e 21 Janarit” me familjet e 4 qytetarëve të pafajshëm që humbën jetën në atë ditë të tmerrshme. Na bashkon dëshira që ajo ngjarje të zbardhet e drejtësia të shkojë në vend”.
“Prej 9 vitesh tashmë emri im është lidhur me atë ngjarje tragjike. Emri i një njeriu, i një ish-gardisti në krye të detyrës, që refuzoi të zbatojë urdhrin për të hapur zjarr mbi protestuesit e pafajshëm, është lidhur në mënyrën më perverse me vrasjen e Ziverit, Aleksit, Faikut dhe Hekuranit, jo nga familjet, jo nga organet e ligjit, por pikërisht nga ata që dhanë urdhër për të qëlluar e më pas shkelën çdo ligj e çdo normë, për të mos lejuar zbardhjen e të vërtetës”, – nënvizoi Malaj duke shtuar se sot vijoj punën time me kokën lart me ndërgjegjen e pastër.
Malaj shprehet se “mbi mua nuk rëndon asnjë akuzë. As për 21 janarin e as për asgjë tjetër. Kush ka ende dyshime për këtë mund të hapë vendimin e KQZ, bazuar në vendimin e Prokurorisë, ku certifikohet pastërtia e figurës time dhe më njihet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje. A mund ta thonë të njëjtën gjë ata që sot drejtojnë sulmin kundër meje? A nuk do duhej që të paktën sot, në 21 janar, së paku të mbyllnin gojën e të ulnin kokën nga turpi për jetët e pafajshme që kanë marrë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nën urdhrat e ish-kryeministrit dhe të atij që asokohe ishte Ministër i Brendshëm dhe që në çdo vend normal do ishin dënuar jo një, por disa herë, për krime që shkojnë nga vjedhja e korrupsioni e deri tek pastrimi i parave e financimi nga Rusia dhe vrasja?”.
“Por mbi mua rëndon nevoja që kjo ngjarje të zbardhet e fajtorët të shkojnë atje ku meritojnë, të shkojnë ata që duke shkelur ligjin kanë marrë jetë njerëzish. Prandaj, sot dua së pari, t’ju shpreh familjarëve ngushëllimet e mia. E së dyti, t’ju them atyre që as unë nuk do të rresht së kërkuari që ajo tragjedi e ai krim shtetëror të zbardhet duke nxjerrë përpara përgjegjësisë autorët e tij të vërtetë, sado lart qofshin ata në jetën politike të vendit”, – tha Malaj./atsh