“Zgjedhjet parlamentare do jenë në qershor të 2021, përsa kohë kemi mazhorancë në Kuvend e institucionet e shtetit funksionojnë”, tha sot i ftuar në një emision televiziv deputeti i PS-së Arben Pëllumbi.
Në lidhje me me Reformën Zgjedhore, deputeti i PS-së tha se më e rëndësishme është të fitojë elektorati shqiptar dhe në fund të fundit humbësi t’i japë dorën fituesit.
Pëllumbi sqaroi se ka pasur raporte vëzhgimi në tre zgjedhjet e fundit, që kanë dhënë opinione që “kemi patur dëshirë t’i marrim parasysh”.
“Ne kemi patur qëndrimet tona, PD qëndrimet e veta dhe partitë e vogla qëndrimin e tyre. Në fund fare ky proces vazhdoi të ecë në rrugën institucionale. Kështu është një lajm pozitiv që opozita u rikthye në tryezë dhe biem dakord ta çojmë të gjithë bashkë deri në fund. Ne si PS jemi të hapur të diskutojmë për gjithçka”, tha ai.
Në lidhje me zgjedhjet e parakohshme dhe protestat nga ana e opozitës, Pëllumbi tha se PS e ka shprehur qëndrimin e saj. “Zgjedhjet do jenë në qershor të 2021, përsa kohë kemi mazhorancë në Kuvend, institucionet e shtetit të funksionojnë dhe elektorati shqiptar të mos na japë një mesazh të drejtpërdrejt dhe të qartë që ka nevojë të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Këto janë kanalet demokratike që shkohet në zgjedhje të parakohshme. Pastaj nëse do shihet të bëhet një marrëveshje që unë nuk e shikoj, ne nuk na tremb asgjë si PS, pasi jemi gati që nesër të shkojmë në zgjedhje, strukturat janë në punë në organizim. Ne po përmbyllim një proces organizimi dhe rinovimi të PS-së. Por në këto momente të mos japim hamendësime. Reforma Zgjedhore të përfundojë, të japë rezultatet e veta, por për momentin nuk kemi mundësi për zgjedhje të parakohshme”, tha ai./atsh