Loading...

Reforma Zgjedhore/ Hajdari: Parimisht dakord me përmbajtjen e dokumentit të dakodësuar

Bashkëkryetarja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari theksoi se ishte parimisht dakord me përmbajtjen e dokumentit të dakordësuar, që u diskutua sot në tryezën me përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare.

“Kam kërkuar që të ketë një qartësi më të madhe sa i përket angazhimit që ky Këshill do të ketë në lidhje me diskutimin për ndryshimin e sistemit zgjedhor, siç dhe e përmban objekti i Komisionit për Reformën Zgjedhore”, tha Hajdari.

Gjithashtu, shtoi Hajdari, “duke qenë se u njoha sot me përmbajtjen e këtij dokumenti, më duhet të marr pak kohë të konsultohem dhe me kolegët e mi në Parlament në lidhje me dokumentin në fjalë”.

Si përfundim, nënvizoi Hajdari, “ajo çka është më e rëndësishme është fakti që takimi i zhvilluar bëhet në kuadër të dialogut për të garantuar një konsensus të gjerë dhe sa më transparent për procesin e Reformës Zgjedhore”.

Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri (PS) dhe deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u ulën sot në një tryezë me dy përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar, ish-deputetët, Oerd Bylykbashi (PD) dhe Petrit Vasili (LSI).

Në përfundim të këtij takimi u përcaktua kuadri i bashkëpunimit për Reformën Zgjedhore, ndërsa palët u angazhuan që reforma të përfundojë jo më vonë se 15 mars 2020./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com