“Procesi elektoral do të duhet të ketë një ndarje të qartë midis shtetit dhe partive politike”, tha sot ish-deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj, duke e konsideruar këtë si një element shtesë dhe risi për Reformën Zgjedhore.
Alibeaj tha se “në tryezën e Këshillit Politik janë gjithsej 13 çështje, ku 9 prej tyre janë propozuar nga opozita. “Janë çështje të sistemit zgjedhor, votimi i emigrantëve, depolitizimi i administratës, çështje të prezantuara nga ne prej kohësh”
“Çështjet e artikuluara prej nesh janë ato që ne kemi artikuluar prej kohësh, por janë të miratuar në një seri të dokumenteve ndërkombëtare kryesisht ato të OSBE/ODIHR, madje dhe në dokumentet e Bundestagut, duke filluar nga dekriminalizimi i zgjedhjeve pra impuls i ri që duhet të luftojë krimin zgjedhor, presionin ndaj administratës zgjedhore, përdorimin e burimeve shtetërore, përdorimin e medias dhe financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore”, tha ai.
“Këto janë simptoma për veshin e shqiptarëve, për përtej këtyre simptomave që janë shndërruar në çështje, besoj se është një çështje që duhet trajtuar sot dhe që është risi, por është dhe nga kërkesat e 1990 që është një pasazh i shkëputur nga dokumenti i Kopehagenit e cila në mënyrë të qartë dhe të saktë thotë që në proceset elektorale do të duhet të ketë një ndarje të qartë midis shtetit dhe partive politike. Ndarja e qartë e shtetit, administratës shtetërore, burimeve shtetërore, përdorimit të buxhetit, gjithçka që përbën shtet të ndahet nga ajo që quhen parti politike në fushatë zgjedhore. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë, që fushata zgjedhore nuk është gjë tjetër vetëm se një garë me partive politike. Pluralizmi në themelin e vet këtë nënkupton”, u shpreh Alibeaj.
Alibeaj shtoi se bespn që kjo nuk ka pse mos të ndodhë në Shqipëri siç ndodh në të gjithë Europën.
“Në europë sa herë që ka procese zgjedhore, gara është mes partive politike, sa herë ka procese, zgjedhjet nuk konsiderohen si atmosferë lufte, por kur demokracia shfaqet në mënyrë energjike, ku publiku duhet të zgjedhë mes ideve dhe programeve dhe kjo është tabloja që duhet të udhëhiqemi të bëjmë një fushatë zgjedhore. Por që të ndodhë kjo ka nevojë për dy gjëra. E para për perfeksionim të bazës ligjore që ajo parti politike që është në pushtet të mos përdorë mjete antidemokratike, të mos përdorë administratën, buxhetin e shtetit, median, krimin, mos i nxjerrë të dënuarit nga burgu. E dyta; çështja e vullnetit politik, pasi e vetmja gjë që bën një ndryshim ligjor, duhet vullnet politik”, tha ai. /atsh