Loading...

Rama pas takimit me Merkel: Mbështetje për Rindërtimin, negociatat dhe Shengenin rajonal

“Kancelarja më konfirmoi se Gjermania do të përpiqet për hapjen e negociatave në muajin mars, gjë që e dëgjuat, e tha edhe në konferencë për shtyp qoftë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, natyrisht”, tha kryeministri Edi Rama para nisjes për Shqipëri pas takimit me kancelaren Angela Merkel.

Kryeministri Rama në një përmbledhje të takimit me kancelaren Angela Merkel, para kthimit për në atdhe, u shpreh se takimi ishte realisht pozitiv.

“Jo sepse kjo fjalë duhet thënë në këtë rast, por sepse qoftë në temën që ishte shtysa ime kryesore për t’i kërkuar kancelares këtë takim, pra rindërtimi pas katastrofës së 26 nëntorit, qoftë në temën e integrimit europian në funksion të çeljes së negociatave që kancelarja e diskutoi gjerësisht me mua dhe qoftë në temën e saj të preferuar bashkëpunimi dhe integrimi rajonal në kuadrin e përgjithshëm të krijuar nga Procesi i Berlinit, takimi ishte shumë domethënës”-tha Rama.

Kryeministri theksoi se: “Së pari, lidhur me Rindërtimin, Kancelarja u shpreh se Gjermania do të marrë patjetër përsipër pjesën që i takon, qoftë për konferencën e donatorëve, qoftë për më tutje. Sepse e dinë fare mirë se konferenca do të ndihmojë, por natyrisht nuk do të përmbushë tërë nevojën për të financuar Rindërtimin, pasi kjo nuk është as objektivisht e mundur, por jo vetëm kaq. Kancelarja u informua për të gjitha kontaktet e mia me vendet e tjera. Më dha disa këshilla shumë të vlefshme dhe u angazhua për të bërë edha ajo të sajën që konferenca të jetë një sukses. Nga ana tjetër duke qenë një person shumë i dhënë madje, unë them si askush që unë kam njohur ndaj statistikave dhe shifrave, Kancelarja mori çdo detaj mbi planin tonë të financimit të brendshëm të financimit si dhe dëgjoi me shumë vëmendje idetë që ne po punojmë gjatë kësaj periudhe për t’i lançuar si masa shtesë financimi pas Konferencës së Donatorëve ku do të kemi dhe një pasqyrë të qartë”.

“U shpreh pozitive për ato ide dhe na dha disa sugjerime shumë të dobishme duke na ofruar një ndihmë teknike për strukturimin e tyre”-tha ai.

Rama ritheksoi se: “Së dyti, lidhur me integrimin europian, Kancelarja jo vetëm e rikonfirmoi pozicionin e saj të fundvitit të shkuar, por edhe më konfirmoi se Gjermania do të përpiqet për hapjen e negociatave në muajin mars, gjë që e dëgjuat e tha edhe në konferencë për shtyp qoftë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, natyrisht”.

“Ajo shpjegoi qartë se kjo nuk është aspak e pamundur por njëkohësisht nuk mund të konsiderohet as diçka e lehtë përderisa debati i brendshëm për metodologjinë e re nuk ka përfunduar ende dhe njëkohësisht duhet punuar deri ditën e fundit për të mos ulur ritmin e punës me reformat dhe për të vazhduar të japë rezultate domethënëse. Për Kancelaren, Reforma në Drejtësi, vijimi i pastrimit të drejtësisë nga të korruptuarit përmes Vetingut dhe së fundmi edhe krijimi i SPAK-ut, janë rezultate kuptimplota që japin shpresë dhe siguri për të nesërmen e pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Po kështu ajo u shpreh pozitivisht për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe amendamenteve speciale ant KÇK, që do të hyjnë në fuqi në ditë e ardhshme pas konsultimeve përfundimtare me ekspertët ndërkombëtarë”, tha ai.

Po ashtu, Kryeministri Rama shtoi se: “Lidhur me temën e rajonit, Kancelarja e përsëriti qëndrimin e saj në mbështetje të nismës sonë për Shengenin rajonal dhe u interesua në detaje për ecuritë dhe kundërshtitë ndaj kësaj nisme duke iu referuar hapave më të fundit mes Beogradit dhe Prishtinës për linjën ajrore dhe atë hekurudhore. Ishim plotësisht me një mendje se të dyja këto rezultate duhet të shërbejnë të gjithëve për të kuptuar se fryma e procesit të Berlinit dhe hedhja e hapave konkret për kthimin e kësaj fryme në vendime të përbashkëta të të gjitha vendeve për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve ne rajonin tonë janë rruga e vetme dhe e duhur drejt së ardhmes europiane dhe rritjes së mëtejshme të mirëqenies në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian do ta mbështesin dhe konkretisht nga pikëpamja financiare këtë bashkëpunim rajonal çka e dëgjuam dhe nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, para vetëm tre ditësh në Tiranë”. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/229675831382336/?t=0

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com