Marrja e kryesisë së radhës së OSBE-së është vërtet një moment historik për Shqipërinë duke qenë një vend nën regjimin mizor komunist që kundërshtoi Aktin Final të Helsinkit dhe ne ndihemi të nderuar të udhëheqim këtë organizatë. Kryesia e OSBE-së shënon pikën kryesore të transformimit tonë të rëndësishëm, deklaroi kryeministri njëkohësisht dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Edi Rama në marrjen e postit të Kryetarit në Detyrë të organizatës rajonale të sigurisë, shkruhej në faqen zyrtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE.
“Vizioni ynë për kryesinë shqiptare të OSBE-së për vitin 2020 udhëhiqet nga tre objektiva të rëndësishme, përqendrimi në baza duke zbatuar së bashku dhe me mirëbesim, tërësinë e angazhimeve tona politike, ndryshime në terren, qoftë këto në parandalimin e përshkallëzimit të një konflikti, monitorimit të zgjedhjeve ose mbështetjen e reformave, apo përmirësimit të sigurisë dhe prosperitetit të qytetarëve tanë dhe duke vazhduar forcimin e dialogut të frymëzuar nga 30 vjetori i Marrëveshjes së Parisit”, deklaroi Rama.
Prioritetet e kryetarit të Shqipërisë përqendrohen në të treja dimensionet e konceptit gjithëpërfshirës të sigurisë së OSBE-së.
Rama theksoi disa nga çështjet kryesore që do të paraqiten në axhendë.
“Kriza në Ukrainë dhe rreth saj mbetet sfida më e urgjente e sigurisë në Europë. Përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve do të jenë në krye të axhendës së kryesisë shqiptare, pasi është e papranueshme që konfliktet e zgjatura në rajonin tonë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. OSBE-ja ka dëshmuar se është një organizatë që jo vetëm mund të gjendet shpejt në zonat e konfliktit, por ndonjëherë, mund ta bëjë këtë kur askush tjetër nuk mundet”, deklaroi Rama.
“Gratë vazhdojnë të vuajnë më shumë nga joqëndrueshmëria dhe konfliktet. Ato gjithashtu janë përjashtuar nga bisedimet e paqes. Kjo është arsyeja pse do të përqendrohemi në ndalimin e dhunës ndaj grave dhe në promovimin e rolit të gruas në paqe dhe siguri. Për sa i përket kësaj temë, ne kemi një histori pozitive. Gjysma e ministrave të mi të kabinetit qeveritar janë gra, një e treta e deputetëve të parlamentit shqiptar janë gra dhe Shqipëria renditet ndër pesë vendet e para në botë për pjesëmarrjen e grave në qeveri dhe ndër vendet e larta në botë për e numrin e grave në çështjet publike”, theksoi Rama.
Ai vuri në dukje se korrupsioni, gërryen themelet e demokracive dhe ka një ndikim negativ në mbarëvajtjen dhe sigurinë e rajonit, si dhe në kërcënimet trans-kombëtare. Duke u bazuar në vrullin e krijuar nga kryesitë e mëparshme, Rama theksoi se do të përmirësojnë punën e OSBE-së në luftën kundër korrupsionit dhe promovimit të qeverisjes së mirë.
Kryetari aktual i OSBE-së deklaroi se “trafikimi i qenieve njerëzore nuk është thjesht rrezik sigurie, por edhe një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Duke qenë se OSBE njihet gjerësisht si lider global në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, në vitin 2020 ne do të vazhdojmë të ruajmë aktivitetin e OSBE-së në këtë fushë”.
“Së fundmi, në Europë po përhapen jotoleranca dhe gjuha e urrejtjes. Duhet të intensifikojmë përpjekjet tona për të mundur diskriminimin dhe për të promovuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”, shtoi Rama.
Kryetari i ri në detyrë theksoi se receta e Helsinkit për paqen në Europë është e thjeshtë, por efektive. Zbatimi i të gjitha parimeve të Helsinkit, përfshirë këtu respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.
“Nëse duam siguri dhe paqe në Europë, duhet të marrim të gjithë përgjegjësinë për zbatimin e plotë të angazhimeve tona. Kjo është thelbësore për besueshmërinë e OSBE-së si organizata më e madhe rajonale e sigurisë dhe për të gjitha shtetet e saj pjesëmarrëse dhe si mënyra e vetme për të rindërtuar besimin mes nesh. Promovimi i masave për ndërtimin e besimit dhe përdorimi i plotë i dialogut të strukturuar janë gjithashtu thelbësore për këtë përpjekje”, theksoi Rama.
“Besoj se kemi hartuar një program realist dhe të ekuilibruar, në konsultime të gjera me kryeqytetet dhe në Vjenë. Gjatë gjithë vitit të ardhshëm, Shqipëria do të jetë një kryesi e hapur dhe gjithëpërfshirëse. Ju garantoj se do të dëgjohen zërat e secilit shtet pjesëmarrës dhe vendimet do të merren në mënyrë transparente, duke mbështetur vlerat dhe parimet tona të përbashkëta. Suksesi ynë do të jetë suksesi i të gjitha 57 shteteve pjesëmarrëse”, përfundoi Rama.
Kryeministri njëkohësisht dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe Kryetari i OSBE-së Edi Rama, do t’i paraqesë Këshillit të Përhershëm të OSBE-së përparësitë e Shqipërisë më 9 janar në Vjenë./ atsh