Akademia e Sigurisë, reparti i FNSH-së dhe laboratori shkencor janë 3 objektiva, për të cilat Kryeministri Edi Rama siguroi se “puna fillon sot”.
Kryeministri inspektoi edhe ambientet e repartit të ri të forcave Speciale RENEA, ku u njoh nga afër me ambientet dhe pajisjet speciale të njësive.
Ai tha se “Akademia e Sigurisë do të kthehet në një strukturë model në rajon, në çdo aspekt”.
Po ashtu ai siguroi se “reparti i FNSH-së do jetë një tjetër model në çdo aspekt dhe laboratori shkencor patjetër që është një domosdoshmëri alarmante si rezultat i nevojës për ta sofistikuar policinë e shtetit në kushtet kur krimi sofistikohet çdo ditë”.
“Nëse me RENEA-n ne sot ndjehemi kryelartë sepse shlyem një borxh dhe i kemi vënë në dispozicion të gjithë këtë strukturë mbresëlënëse, ultramoderne, jemi në borxh me kohën dhe me Policinë e Shtetit deri kur të kemi vënë në dispozicion të studentëve një Akademi Sigurie të të njëjtave standarde si këtu, të kemi vënë në dispozicion të FNSH një strukturë të të njëjtave standarde si këtu dhe të kemi vënë në dispozicion të Policisë së Shtetit një laborator shkencor të të njëjtave standardeve si në vendet e BE-së”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “armiku më i madh i Policisë nuk është krimi, por është vetmia që lind nga mungesa e mbështetjes nga shtypja, apo mungesa e vëmendjes për ta dëgjuar”.
“Më vjen shumë mirë që me qeverinë që unë drejtoj qysh nga dita e parë, ky armik është asgjësuar. Ne nuk kemi bërë sa kemi dashur për Policinë e Shtetit, por kemi bërë gjithçka kemi mundur. Ne nuk kemi arritur ende t’i plotësojmë Policisë së Shtetit të gjitha nevojat, por kemi bërë gjithçka që ajo sot të ketë më pak nevoja se dje”, tha kryeministri Rama./atsh