Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka reaguar sërish për vendimin e gjykatës që pushon çështjen e Lulzim Bashës dhe përfaqësuesve të PD-së lidhur me skandalin e 670 mijë dollarë në SHBA.
Braçe shprehet se provat janë konkrete dhe janë dokumente zyrtare të depozituara nga agjenci prestigjioze në botë.
“Nuk ka prova! Nuk ka prova! Lulzim Basha kërkon të fsheh imunitetin unik për të mos u gjykuar kurrë, kështu! Prova? Ja ku janë e ja bëjnë muuuu! Nuk janë letra bakalli, janë dokumenta zyrtare të depozituara ne agjencinë me serioze ne botë; Janë me firme të Nik Muzin e Lulzim Bashës. Prokurorët e gjykatësit në Tirane nuk kanë lejuar të hetohet e gjykohet rreth tyre! Zero! Kur nuk hetohet nuk ka prova, afërmendsh! Por në zyra amerikane ato janë, janë publike-ne dallim nga këtu, i shohin e i marrin të gjithë”, shprehet ai.
Po ashtu Braçe shton se “Prova thotë se Nik Muzin njeriu nën kontrate me PD ka deklaruar zyrtarisht, me shkrim se ka marrë për llogari të PD-së 670 mijë dollarë! Tani, ose gënjen ai nën betim dhe përgjigjet në Amerikë për këtë, ose gënjejnë këtu Lulzim Basha e zarat e tij dhe kanë imunitet e as hetohen e as gjykohen. Provat ja bëjnë muuuuu, imuniteti ndaj drejtësisë nuk i bën të padukshme! Krim i rëndë elektoral është ky apo jo?!”./atsh