Loading...

Policia shumë herë më e mirëpaguar se dje, për herë të parë në 30 vite forcat speciale nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre

“Policia e Shtetit sot është shumë herë më e mirëpaguar se dje dhe për herë të parë në historinë e 30 viteve nuk është trysnuar nga urdhrat nga lart, në kundërshtim me ligjin apo nga influenca të çdo lloj natyre”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në inaugurimin e repartit të ri të forcave speciale RENEA, Rama theksoi se “për herë të parë në 30 vite, forcat speciale nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre”.

Kryeministri vlerësoi Policinë e Shtetit, përtej të gjithë vështirësisë së jashtëzakonshme në të cilën u vunë si rezultat i provokimeve nga palët demonstruese.

“Në 6 muajt marramendës të protestave të dhunshme të opozitës, u shfaq në sytë e opinionit publik vendas dhe atij të interesuar jashtë Shqipërisë, fytyra e një Policie Shteti profesionale dhe proporcionale në raport me protestën”, – deklaroi Rama.

Rama tha se “vitin e shkuar vijoi procesi i përafrimit të standardeve me policitë simotra të vendeve europiane”.

“U hap rruga për herë të parë në Policinë e Shtetit për studentët ekselentë dhe u forcua më tutje struktura e bazuar në meritokracinë në provesin e rritjes në detyrë në Policinë e Shtetit. U zbatuan për herë të parë metoda të reja kundër krimit, përfshi edhe krimin kibernetik, siç vërteton edhe progresraporti i 2019. U rrit niveli i respektimit të të drejtave të njeriut”, – tha Rama.

Duke u ndalur te investimet në Policinë e Shtetit, Rama tha se “vazhdoi rinovimi i flotës së automjeteve dhe sot nuk ka pikë diskutimi që në çdo aspekt Policia e Shtetit është në ditën e saj më të mirë krahasuar me çdo ditë të djeshme”. “Por nuk ka pikë diskutimi se krahasuar me të nesërmen nuk mjafton”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “Policia e Shtetit po kryen dhe një proces pastrimi, përmes një vetingu që po ecën me të gjithë kujdesin dhe domosdoshmërinë e nevojshme”.

“Nuk kemi bërë sa kemi dashur për shpërblimin e Policisë së Shtetit, por kemi bërë sa kemi mundur sot. Sot, Policia e Shtetit është shumë herë më e mirëpaguar se dje. Kemi respektuar maksimalisht autoritetin e Policisë së Shtetit, autoritetet drejtuese të saj që për herë të parë në historinë e 30 viteve nuk janë të trysnuar nga urdhrat nga lart, në kundërshtim me ligjin, apo nga influenca të çdolloj natyre. Apo forcave speciale, që nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre, për herë të parë në 30 vite”, – tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com