Aktori i njohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Xhevdet Ferri, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, u përcoll sot për në banesën e fundit.
Familjarë, të afërm, kolegë, miq e dashamirës i dhanë lamtumirën aktorit Ferri në një ceremoni të ngushtë.
Lajmi i trishtuar i ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme, nga një sëmundje e rëndë, e aktorit të njohur Xhevdet Ferri ka sjellë mesazhe të shumta ngushëllimi nga institucione të artit e të kulturës, personalitete të kinematografisë, politikanë, por edhe qytetarë të thjeshtë.
Xhevdet Ferri lindi më 26 nëntor 1960. Filmin e tij të parë e realizoi kur ishte akoma student. I fundit nga aktori do të mbahet mend roli në filmin “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit.
Roli i paharrueshëm për shqiptarët do të mbetet ai i Trimit në filmin “Përrallë nga e kaluara” krah të të madhit, Robert Ndrenika. Ai ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër. Pothuajse në të gjithë filmat ka qenë në rolin e protagonistit./atsh