Kuvendi miratoi sot në seancë plenare me 84 vota pro projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar”‘.
Ndryshimet në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit të ndryshuar”, synojnë forcimin e masave në sektorin e ndërtimit, pas situatës që kaloi vendi nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ndryshimet u propozuan nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pasi goditjet e tërmetit në vitin 2019 treguan një sërë problematikash të cilat dolën dukshëm në sipërfaqe në lidhje me ndërtimet.
Ndryshimet konsistojnë në saktësimin e terminologjisë së përdorur në ligjin ekzistues duke krijuar kështu një kuadër të qartë ligjor i cili sanksionon përgjegjësinë e secilit aktor dhe vendos një herë e përgjithmonë ndarjen e detyrimeve dhe të përgjegjësive, si për shembull, mes investitorit apo zhvilluesit, apo kush ka përgjegjësinë nga agjencitë të cilat licencojnë dhe kontrollojnë ndërtimet sot.
Seanca plenare votoi edhe projektligjet dhe aktet e tjera normative në rendin e ditës.
U miratua me 80 vota pro akti normativ “Për disa shtesa në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar””. U miratua me 84 vota pro akti normativ “Për disa ndryshime në ligjin “Për buxhetin e vitit 2019″, të ndryshuar”.
U miratua me 86 vota pro projektligji “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”.
Me 78 vota kundër u rrëzua dekreti i Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr. 92/2019 “Per disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 9918, date 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. /atsh