Redaksia e së përjavshmes prestigjioze “Paris Match”, e intriguar nga një postim mbi verërat në Instagram, i ka kushtuar një artikull Shqipërisë mbi këtë temë.
“Kushte klimatike ideale, një tokë e pasur dhe varietete rrushi shumë të vjetra, po, është e vërtetë, Shqipëria është gjithashtu një vend prodhues verërash”, e nis redaksia artikullin.
”Është e vërtetë që tek ne rrallë hapet ndonjë shishe verë e prodhuar në Shqipëri. Ajo nuk gjendet nëpër supermarkete dhe restorantet shqiptare nuk bëjnë promovime në rrugët e Belgjikës, as për të ofruar në menunë e tyre. Shumë ndryshe nga markat kroate, boshnjake apo edhe ato serbe, pa harruar restorantet greke që janë të shumta.
Ka kaq shumë shishe origjinale nga Ballkani, që, të pasuruara në mënyra të ndryshme, kanë ardhur te ne.
Por, kjo mund të ndryshojë. Këtu keni një sërë arsyesh pse duhet të provoni përvojën e shijes së verërave shqiptare, nëse ju rastis të ndesheni me ndonjërën!
Shqipëria, një nga prodhueset më të vjetra të verës në Europë
E vinit në dyshim? Shqipëria mund të krenohet me një vreshtari gati 3000-vjeçare. Gjurmët më të lashta (800 p.e.s) na vijnë nga Iliria, rajoni aktual i Shkodrës, në veri të vendit.
Pas diktaturës komuniste dhe ndalimit të privatizimit të prodhimit të verës, pas uljes së konsumit të alkoolit të imponuar nga islamizimi i rajonit, shqiptarët gjetën recetat e së shkuarës dhe mënyrat stërgjyshore të veprimit, për të rimarrë veten.
Historia e vreshtarisë në këtë vend nuk ka shkuar vaj, deri në atë pikë, saqë “The Guardian” flet sot për një rilindje të saj!
Varietete rrushi endemike
Sheshi i Bardhë (rrush i bardhë) dhe Sheshi i Zi (rrush i kuq), me origjinë nga fshati Shesh, janë më simboliket e vendit. Përkrah tyre, përmendet edhe rrushi i llojit Kallmet (i kuq) dhe Vlosh (i kuq dhe i trëndafiltë). Përmenden, gjithashtu, edhe pse më pak, varietetet Debin dhe Vranac.
Në total, ai përfaqëson rreth 75 % të furnizimit me verëra të ndryshme.
Ekzistojnë, gjithashtu, edhe varietete më tradicionale: Merlot, Cabernet, Pinot, Tokai. Këto janë katër rajonet që organizojnë kultivimin e hardhisë.
Tani për tani, vendi prodhon vetëm një milion shishe, çdo vit.
Pjesa më e madhe e konsumit vendas ende mbështetet nga importi masiv i verërave italiane.
Vreshta lehtësisht të arritshme
Shqipëria turistike është e njohur për bregdetin e saj të mrekullueshëm dhe klimën e përsosur të stinës së verës. Natyra, me burimet, liqenet, malet, luan gjithashtu një rol mjaft tërheqës.
Por, nëse planifikoni një udhëtim në vendin e flamurit me kokë shqiponje, synoni zona të ndryshme të vizitueshme: Kantinën e Verës “Arbëria”, Kantinën e Verës “Çobo” dhe Kantinën e Verës “Kokomani”. Një përvojë sa unike, aq edhe origjinale.
Nuk ka dyshim që do të priteni mirë, sepse edhe brenda kufijve të vendit, verës vendase nuk i bëhet një reklamim i mirë dhe vreshtarët nuk marrin një meritë apo çmim të denjë për këtë emër, përfundon ”Paris Match”. /atsh