Një ndër bukuritë më të veçanta në alpet shqiptare janë edhe ujëvarat, sidomos në stinën e dimrit kur uji ngrin duke ofruar një pamje magjepsëse.
Për shkak të temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin tonë ditët e fundit, dy prej ujëvarave që ndodhen në fshatin turistik të Thethit, ajo e Gjeçajve dhe Grunasit, e cila është shpallur edhe monument kulture, kanë dhuruar një spektakël të vërtetë.
Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër ka publikuar sot disa fotografi nga ky fenomen natyror, që magjeps adhuruesit e natyrës.
Uji që zbret nga faqja e malit ka ngrirë deri poshtë në gropën e krijuar prej tij.
Thethi është fshati që ka më shumë ujë dhe ujëvara në Shqipëri, sepse ngado që të ecësh do të gjeni një burim uji. Në Theth janë më shumë se 80 burime uji, që nuk shterojnë asnjëherë.
Ujëvara e Grunasit
Ujëvara e Grunasit është një ndër bukuritë natyrore më të veçanta në alpet Shqiptare. Me vendimin e qeverisë Nr.676 dt 20.12.2002 është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti. E lartë mbi 30 metër së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar nga çdo turist që viziton Thethin.
Kjo ujëvarë ka si karakteristikë të veçantë faktin që uji i saj buron i gjithi nga një shkëmb dhe është ujë dëbore. Për alpinistët që mund të vizitojnë burimin është një mrekulli e veçantë që nuk gjendet në asnjë ujëvarë të Europës.
Ujëvara e Gjeçajve
Gjatë rrugës tuaj për në qendër të fshatit, përveç bukurive mahnitëse që do të shikoni, kurorën me majat e maleve, do të shikoni edhe ujëvarën e Gjeçajve, e cila është sapo keni kaluar lagjen Gjeçaj rreth 30 metër, sipër rrugës nacionale, që të çon për në qendër, e cila është mjaft e bukur dhe e veçantë, rreth 25 metër e lartë./atsh