U shua në moshën 59-vjeçare aktori i njohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Xhevdet Ferri pas një sëmundjeje të rëndë. Rolet e tij në skenë dhe ekran janë të paharrueshme për publikun që nga interpretimi në “Përrallë nga e kaluara” tek “Gjoleka, djali i Abazit” e në dhjetëra role të tjera të realizuara mjeshtërisht nga aktori.
Xhevdet Ferri lindi më 26 nëntor 1960. Filmin e tij të parë e realizoi kur ishte akoma student. I fundit nga aktori do të mbahet mend roli në filmin “Delegacioni”, me regji të Bujar Alimanit. Roli i paharrueshëm për shqiptarët do të mbetet ai i trimit në filmin “Përrallë nga e kaluara” krah të madhit, Robert Ndrenika.
Në vitin 1982, Xhevdet Ferri u diplomua në Akademinë e Arteve dega e Dramës dhe më pas u caktua pedagog i mjeshtërisë se aktorit në këtë Akademi. Vazhdoi karrierën akademike deri në detyrën si dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj Akademie. Ka interpretuar në rreth 30 role në kinematografi e teatër.
Pothuajse në të gjitha filmat ka qenë në rolin e protagonistit. Ai debutoi në vitin 1980 ne “Skëterre ’43” si Arjani dhe po atë vit në “Vëllezër dhe shokë” duke rënë në sy për rolin e Markos.
5 vjet më vonë, në vitin 1985 do të bëhej i njohur me interpretimin e rolit të Agronit në filmin e dytë të tij “Hije që mbeten pas”. Në mishërimin që i bëri figurës së Gorit në filmin tjetër “Dhe vjen një ditë”, me të cilin u nderua me medaljonin e festivalit, më 1986, bien në sy cilësi të tjera interpretative si: natyrshmëria, qetësia dhe thjeshtësia, shoqëruar nga karakteri i drejtpërdrejtë i të vepruarit.
Role të tjera të spikatura: Arjani në “Skëterrë ’43” (1980); Pali në “Besa e kuqe” (1982); Sandri në “Vendimi” (1984); Trimi në “Përrallë nga e kaluara” (1987); Martini në “Treni niset në 7 pa pesë” (1988); Gjon Kadri në “Vitet e pritjes” (1990).
Me rolin e Sakos, në filmin “Dasma e Sakos” (1998), Xhevdet Ferri arriti sërish në një pikë të lartë artistike të interpretimit.
Nga vitet 1995-1999 ishte drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e rimarrë këtë detyrë në vitin 2006. Ndërsa në vitet 1999-2001 ishte drejtor i Teatrit Kombëtar.
Në vitet 1996-1998 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga radhët e PD.
/atsh