Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj mori pjesë në Berlin në konferencën për kontrollin e armëve të vogla e të lehta në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke folur për mediet pas konferencës, ai vuri në dukje rëndësinë e miratimit të paketës së masave për luftën kundër krimit të organizuar nga qeveria shqiptare, duke nënvizuar se armëmbajtja pa leje është vetëm një nga elementët e kësaj lufte.
“Është një koicidencë e bukur pjesëmarrja në këtë takim të sotëm, për arsye të miratimit po sot nga qeveria shqiptare, të paketës së gjerë të masave kundër krimit të organizuar. Kontrolli i armëve në thelb është luftë kundër krimit të organizuar dhe Qeveria shqiptare është e mobilizuar për të filluar një periudhë të re të luftës kundër krimit të organizuar”, u shpreh Lleshaj.
Sipas tij, miratimi i paketës është një hap i madh përpara. “Sigurisht në Berlin diskutuam specifikisht vetëm për kontrollin e armëve në Ballkanin Perëndimor. Në fjalën time u përqëndrova tek puna që bëhet në Shqipëri, për këtë çështje. Kemi marrë masa të rëndësishme si Qeveri për ta thelluar luftën e për ta fuqizuar kontrollin në fushën e armëve, e kryesisht të armëmbajtjes pa leje. Vitin që mbyllëm, ashpërsuam masat e Kodit Penal për të goditur çdo rast të armëmbajtjes pa leje, duke ashpërsuar dënimin penal, i cili tani fillon me 3 vjet e shkon deri në 7 vjet e më tej, për ata që kapen me armë pa leje. Do të vazhdojmë të jemi të angazhuar seriozisht në këtë fushë”, u shpreh Lleshaj.
“Nga ana tjetër po seriozisht kemi plan të merremi në vitin 2020, me forcimin e rregullave për ata që kërkojnë të mbajnë armë me leje. Ne synojmë ta shtrëngojmë shumë hapësirën, ta kufizojmë shumë atë, edhe për ata që kërkojnë të mbajnë armë me leje duke e bërë procesin me të komplikuar, më të vështirë, më të shtrenjtë, në funksion të qëndrimit, për ta ulur në maksimum praninë e armëve, qofshin me leje qofshin pa leje në hapësirën tonë publike. E rëndësishme është të theksohet që kontrolli i armëve është një element i luftës kundër krimit të organizuar dhe e përsëris me kënaqësi faktin që miratimi sot i paketës ligjore kundër krimit të organizuar, i jep Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese një instrument të ri shumë të fuqishëm për të adresuar këtë fenomen kriminal në Shqipëri”, theksoi Ministri i Brendshëm.
“Menjëherë mbas miratimit të kësaj pakete, Policia e Shtetit është e përgatitur për të filluar një fushatë të rëndësishme për të targetuar të gjitha rastet e personave, të cilët kanë grumbulluar pasuri në bazë të aktivitetit kriminal dhe për këtë qëllim duke filluar nga ditët në vijim për të mos thënë orët në vijim, Policia e Shtetit do të angazhohet në një operacion të gjerë, ‘Operacioni Forca e Ligjit’, i cili synon pikërisht të vërë para përgjegjësisë cilindo, që përmes veprimtarisë kriminale ka grumbulluar pasuri dhe asete kriminale”, theksoi Lleshaj.
“Ligji i jep mundësi Policisë të ndërhyjë dhe iu jep detyrimin të gjithë personave që kanë prona dhe pasuri të pasqaruara që të provojnë para gjykatave kompetente nëse prona e siguruar prej tyre është burim i financimeve të ligjshme apo në të kundërt i veprimtarive të paligjshme. Në rastin e dytë, pra në rastin e veprimtarive të paligjshme pasuria sekuestrohet, konfiskohet dhe më tej futet në proces administrimi në dobi të publikut”, u shpreh ai.
Me ftesë të Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë dhe Ministrit të Jashtëm të Francës, Lleshaj mori pjesë në një takim të rëndësishëm të nivelit të lartë të Ministrave të Ballkanit Perëndimor dhe të përfaqësuesve të shumë institucioneve europiane. Takimi i kushtohet kontrollit të armëve të vogla e të lehta, në Ballkanin Perëndimor. /atsh