Loading...

Me letra false drejt BE-së/ Policia parandalon një tjetër rast, në pranga punonjësi i aeroportit të Rinasit

Policia e Shtetit parandaloi sot një rast të tentativës për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve me dokumente të falsifikuara.

Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë finalizoi operacionin policor “New start”, duke vënë në pranga dy shtetas, njëri prej të cilëve punonjës i skanerit në aeroportin e Rinasit.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, shtetasja Xh. K., 23 vjeçe, banuese në Mat.

Po ashtu, u arrestua edhe R. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, aktualisht punonjës i sigurisë te kontrolli i pasagjerëve me skaner, në terminalin në varësi të TIA-s.

Ky shtetas ka qenë i proceduar më parë nga Policia Kufitare, pasi është kapur në zonën sterile me 2 700 euro dhe telefon celular.

Arrestimi i tij u bë si i dyshuar për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.

Shtetasja XH. K. ka tentuar të udhëtojë në drejtim të Italisë me dokumentacion të rregullt, por pas dyshimeve të punonjësve të Policisë Kufitare mbi qëllimin e udhëtimit dhe arsyet e dhëna, është kaluar në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm, ku i është gjetur një kartë italiane e falsifikuar./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com