Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbrëmje se ”kërcënimet, gjuha dhe mjetet e forcës jo vetëm që nuk janë të arsyeshme në një situatë pluralizmi dhe të institucioneve demokratike, por nuk funksionojnë në raport me mua”.
I ftuar në një studio televizive, Rama komentoi zhvillimet në raport me opozitën gjatë vitit 2019, nisur nga djegia e mandateve, bojkoti i Kuvendit deri te protestat.
Lidhur me vendimin për zëvendësimin e deputetëve të opozitës në KQZ pas djegies së mandateve nga ana e tyre, Rama tha se vendimmarrjet ne i marrim kolegjialisht në një grup drejtuesish në PS dhe në rastin konkret vendimmarrja i ka takuar Kuvendit.
“Së dyti nëse kjo paska qenë një qasje kërcënuese si: o bëj si them unë, ose unë do largohem kërcënimet, gjuha dhe mjetet e forcës jo vetëm që nuk janë të arsyeshme në një situatë pluralizimi dhe të institucioneve demokratike, por nuk funksionojnë në raport me mua”, tha Rama.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë komunikim me kreun e PD-së, Lulzim Basha pas vendimit të opozitës për djegien e mandateve, Rama tha se “unë atij i kam çuar një mesazh në ditët pas tërmetit për t’i sugjeruar që të jemi bashkë dhe kaq”.
“Jo. Komunikimi i fundit ka qenë kur PD ka qenë ende në parlament”, tha Rama./atsh