Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në një deklaratë për mediet ka dënuar lirimin nga burgu të të dënuarit me burgim të përjetshëm Endrit Dokle, teksa ka theksuar se ka kërkuar pezullimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha, si edhe ka shkarkuar nga detyra, Drejtorin e Shërbimit të Provës në Krujë.
“Ndaj me ju sot,shqetësimin e thellë timin dhe të qeverisë mbi vendimin skandaloz të gjyqtares së rrethit gjyqësor Krujë, Enkeleida Hoxha,për lirimin me kusht të një të dënuari me burgim të përjetshëm, në thyerje flagrante të ligjit dhe të çdo norme funksionale të sistemit të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”, – nisi fjalën e saj ministrja Gjonaj..
“Lirimi në shkelje të ligjit, i të dënuarve me burgim të përjetshëm është një fenomen gjithnjë e më i shpeshtë kohët e fundit – është një këmbanë alarmi, për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet drejtësia në këtë fazë tranzitore të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve, që evidenton edhe njëherë nevojën e thellë për këtë spastrim të radhëve të gjyqësorit”, – theksoi ministrja.
“Ndjehem e keqardhur për këtë vendim, edhe pse shqetësimin për këtë çështje, e kam shprehur dhe adresuar institucionalisht që në fazën e gjykimit të saj, bazuar në informacionin që dispononim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Shërbimi i provës, duke patur indicie apo dyshim mbi objektivitetin dhe paanësinë e këtij gjykimi, duke kërkuar veç të tjerash verifikim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse. Sjell në kujtesën e publikut se shqetësimi ynë për gjyqtaren Enkeleida Hoxha, është adresuar që më datën 8 janar 2018, pas publikimit të lajmit të lirimit të një tjetër të dënuari me burgim të përjetshëm, Genc Tafili”-, tha Gjonaj.
Zyrtarisht i jam drejtuar atëherë Inspektoratit të Këshillit (në atë kohë Këshilli i Lartë i Drejtësisë), duke kërkuar fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares Enkeleida Hoxha, por, duke ndeshur të njëjtën heshtje dhe pa përgjegjshmëri që për shumë e shumë vite ka kalbëzuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri”-, theksoi ministrja.
“Lidhur me vendimin e finalizuar pak ditë më parë nga gjyqtarja Hoxha, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë është kryer me hollësi e shpejtësi një verifikim administrativ i dokumentacionit të administruar, vendimit të gjyqtares dhe fakteve publike, për të zbardhur të gjitha shkeljet dhe anomalitë në këtë vendim.
Si rezultat i shkeljeve të konstatuara dhe duke mbajtur parasysh se veprime të tilla, me pasoja të rënda në çështjet e rendit dhe sigurisë në vend, kanë krijuar zemërim të opinionit të gjerë publik, kanë cenuar rëndë paanshmërinë dhe objektivitetin në dhënien e drejtësisë, në datën 15 janar: I jam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për pezullimin e menjëhershëm të gjyqtares nga detyra, si dhe marrjen e masave për shkarkimin e saj nga detyra si gjyqtar, me qëllim mostolerimin e asnjë vendimi të tillë, i cili sfidon haptazi procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë, dhe punën e përkushtuar të institucioneve të reja në këtë proces jetik për forcimin e shtetit të së drejtës.
Njëkohësisht i kam kërkuar institucionit të Prokurorisë, ushtrimin e ndjekjes penale ndaj gjyqtares, jo vetëm për ndëshkimin e vendimmarrjeve abuzive, por edhe për parandalimin e fenomeneve të tilla me pasoja të rënda në besimin e qytetarëve tek drejtësia. I jam drejtuar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për ndjekjen me prioritet të përshpejtuar të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtares, por edhe të gjithë rasteve të tjera të ngjashme, mbi të cilët, në vite, rëndojnë akuza të shumta publike për paligjshmëri dhe korrupsion.
Po gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se edhe Drejtoria e shërbimit të provës Krujë, e cila ka depozituar raportin e saj në këtë gjykim për të dënuarin Dokle, duke sugjeruar rehabilitimin me dënim alternativ, ka vepruar në shkelje të rënda të dispozitave ligjore dhe vlerësimit që ky shërbim ka kryer për këtë rast. Si rezultat i kësaj, janë marrë të gjitha masat administrative nga Ministria e Drejtësisë, duke pezulluar menjëherë nga detyra Drejtorin e shërbimit të provës Krujë dhe po dje, është depozituar kallëzim penal ndaj tij, në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Krujë për shpërdorim detyre”, – theksoi Gjonaj.
“Duke marrë shkas nga vendimi i gjyqtares Hoxha, vendim haptazi në kundërshtim me ligjin, ashtu si dhe duke mbajtur në vëmendje, vendimmarrje të ngjashme të gjyqtarëve dhe prokurorëve,për lirimin apo favorizimin e subjekteve kriminalë me rrezikshmëri të lartë, të cilat po kthehen në një precedent negativ, përsëris me zë të lartë nevojën e një reagimi të menjëhershëm institucional nga të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë.
Vendime të tilla të dhëna nga individ të caktuar, apo individë të tjerë të cilët po shfrytëzojnë këtë periudhë tranzitore, duke e patur të qartë që nuk do ta kalojnë procesin e Vetingut, dhe që po veprojnë për interesa personale, duhet të marrin reagimin dhe ndëshkimin e menjëhershëm nga institucionet e reja të drejtësisë me qëllim kthimin e besimit të qytetarëve tek sistemi i ri që po ndërtojmë por njëkohësisht edhe imazhin e vendit në procesin e integrimit europian.
Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtojë dhe shpresoj miratoj, me urgjencë,në ditët e ardhshme propozimet e bëra nga qeveria në kuadrin e paketës së reformës në drejtësi për masat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve (e ashtuquajtura paketa anti-KÇK), e cila, padyshim do t’u japë institucioneve të reja të drejtësisë, instrumente të rinj dhe efikasë, për të reaguar ndaj kësaj kategorie gjyqtarësh dhe prokurorësh, të cilët duhet të përgjigjen penalisht për vendimet e tyre, dhe jo ta kenë vendin në sistemin e drejtësisë”, – përfundoi deklaratën e saj, ministrja Gjonaj. /atsh