Loading...

Kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria moment historik/ Rama: Nisim një kapitull që na nderon në një rol që kurrë s’e kemi pasur në skenën ndërkombëtare

Shqipëria për herë të parë merr nesër zyrtarisht kryesimin e OSBE-së dhe do ta drejtojë atë përgjatë vitit 2020. Kryeministri Edi Rama gjatë konference për shtyp sot në Vjenë, e cilësoi këtë angazhim historik për Shqipërisë.

“Kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria është një arritje fantastike e Shqipërisë. Kjo organizatë është krijuar 45 vite më parë dhe Shqipëria ka qenë jo vetëm vendi i vetëm europian që e refuzoi, por edhe e goditi pamëshirë që në krijim dhe sot ne jemi me gjithë këtë përgjegjësi për të drejtuar OSBE-në”, tha Rama.

Natyrisht, tha ai, që nuk jemi të thirrur që të rishpikim OSBE-në apo të rishpikim mekanizmat e OSBE-së, por të çojmë përpara një përpjekje që nuk fillon me ne, nuk mbaron me ne, që bazohet mbi konsensusin në çdo hap, konsensusi i 57 vendeve, më shumë se mbi 1 miliard njerëzve, që kuptohet është një proces mjaft i komplikuar, sepse kuptohet se duhet të bien dakord që të gjithë, ndërkohë që për vendet dhe zonat ku ka konflikte dhe çështje për të trajtuar, përgjithësisht janë edhe vetë anëtarë, kështu që edhe interesat divergjente janë pjesë.

“Megjithatë ne kemi bërë shumë punë për t’u përgatitur, edhe Ministri në Detyrë, edhe Ambasadori kanë bërë një volum të madh pune dhe skuadra që është ngritur enkas për këtë mision special të një viti, ka përballuar një volum të madh pune, edhe do të bëjmë më të mirën tonë. Nuk pretendojmë të zgjidhim nyje që nuk janë zgjidhur me vite të tëra, por të ndihmojmë në progresin për zgjidhjen e tyre”, – deklaroi Rama.

Kryeministri tha se shumë shpejt do të zhvillojë vizita në Ukrainë, Rusi dhe SHBA, si pjesë e detyrimeve të drejtuesit të OSBE-së.

“Vizita në Rusi është pjesë e axhendës së drejtuesit të OSBE dhe është pjesë e angazhimeve që unë kam marrë, ndërkohë që gjatë gjithë vitit kemi bërë dhe harmonizimin e angazhimeve me Ministrin në Detyrë për të balancuar obligimet e OSBE-së, me obligimet e brendshme. Janë disa vizita që do të bëhen shumë shpejt, praktikisht më të shpejtat janë vizitat në Ukrainë, në SHBA dhe Rusi. Për datat presim konfirmime nga të gjitha palët”, – tha Rama.

I pyetur se çfarë do të bëjë Shqipëria gjatë këtij viti për Kosovën, si kryetare e OSBE-së, Kryeministri Rama tha se “do t’i bëjmë të gjitha ato që kemi planifikuar dhe ju thashë nuk e marrim drejtimin e OSBE-së për të rishpikur OSBE-në, as për të rishpikur mekanizmat, qasjen tradicionale, sepse, faktikisht, vërtet jemi drejtues të organizatës për një vit, por është një drejtim që është shumëkoordinim me të tjerë dhe vendimmarrje që duhet patjetër miratuar nga të tjerët. Pra, nuk është një drejtim i një qeverie në një vend. Në këtë aspekt, sigurisht që ne kemi disa ambicie. Kemi vendosur disa prioritete. Kemi qenë të vëmendshëm që tek vendosja e prioriteteve të mos vendosim prioritete që janë dëshira, por të parealizueshme dhe mendoj që e kemi kapacitetin e duhur që të bëjmë diçka dhe për Kosovën, aq më tepër tani që unë në Prishtinën zyrtare jam “tradhtar”, në Beogradin zyrtar jam “nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar”. Kështu që, në këtë aspekt, besoj që kam një pozicion që mund të më shërbejë si ‘chairman in office’ i OSBE-së”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com