Loading...

Kryemadhi: Opozita e bashkuar, gatishmëri për të realizuar të gjitha kushtet për hapjen e negociatave

“LSI dhe opozita e bashkuar ka patur gjithnjë gatishmërinë për të realizuar të gjitha kushtet që kanë të bëjnë me hapjen e negociatave”, – deklaroi sot kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Gjatë Konventës së LSI-së, Kryemadhi tha se “ka vetëm një person që nuk e do hapjen e negociatave, dhe ky është Edi Rama, i cili nuk do që të ketë më shumë BE në Shqipëri, se kështu merr fund uzurpimi i pushtetit dhe vjedhja që i bën shqiptarëve”.

“Viti 2019 shënoi edhe një rekord tjetër të trishtë: investimin më të ulët në arsim, mbylljen e dhjetëra shkollave në të gjithë Shqipërinë, disa për mungesë infrastrukture, por shumica në zonat rurale për shkak të mungesës së nxënësve. Ne akuzojmë sot këtë mazhorancë se kjo politikë e shkatërrimit të vendit është e qëllimshme, sepse në një shoqëri ku investimi në arsim është i vogël, ka vetëm dy rrugë: ose largimi për t’i shpëtuar injorancës dhe padijes, ose nëpërmjet injorancës t’i nënshtrohet pushtetit, sado i mbrapshtë të jetë ai”, – tha ajo.

Shëndetësia, sipas Kryemadhit, “përfaqëson një dështim tjetër spektakolar të kësaj qeverisje”. Sipas saj, “shëndetësia falas është në fakt alibia e Rilindjes për grabitjen më të madhe të buxhetit të shqiptarëve”.

“Nga shëndetësia falas ajo është tashmë për këdo shëndetësia më e shtrenjtë në rajon, dhe detyrimin publik për t’i shërbyer shëndetit të njerëzve, kjo mazhorancë e ka hedhur tek privati, i cili realizon me pagesë mbi 70% të volumit të shërbimeve që duhet të ofroheshin nga sistemi publik”, – tha ajo. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com