Loading...

Koronavirusi/ Manastirliu: Shqipëria me risk të ulët, kemi marrë të gjitha masat si pjesë e OBSH-së

“Vendi ynë nuk hyn tek vendet me risk, por qeveria shqiptare ka ndërmarrë të gjitha masat për t’i bërë ballë koronavirusit”, pohoi sot ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e ftuar në një emision televiziv.

Manastirliu tha se fakti që me Kinën nuk ka linjë direkte, do të thotë se ka filtra mbrojtës, pasi udhëtarët që vijnë nga ky vend kalojnë në ‘skaner’ në Itali apo dhe Turqi.

“Shqipëria për fat të mirë është vend me risk të ulët për koronavirus. Ne nuk kemi linja direkte me Kinën. Ky është një filtër i parë që pengon marrëdhënien direkte të pasagjerëve. Jemi një vend me risk të ulët, për arsye të filtrave që bëhen më parë, në Itali, apo në Stamboll. Ka një sistem karantine për ato vende me risk të mesëm. Qeveria shqiptare, ministria, ka marrë masat që në momentet e para, pasi ne jemi pjesë e OBSH-së. Shqipëria nuk është më një nga ato vendet që një situatë emergjence e gjen të papërgatitur. Ajo organizohet njësoj si vendet e tjera. Qoftë në burimet njerëzore, sa i takon trajnimeve. Pasi në rastin konkret menjëherë sapo OBSH ka nxjerrë udhëzuesit e vet, ne nxorëm urdhër për të marrë masat dhe për të bërë studime”, tha ajo.

Po ashtu, ministrja shtoi se: “Ekspertët kanë trajnuar ato persona që qëndrojnë dhe realizojnë filtrin. Në aeroportin “Nënë Tereza” kemi pajisje të tilla, si termometrat me lazer. Çdo protokoll realizohet në bazë të shkallës së rrezikshmërisë. Ne kemi një shkallë të riskut të ulët. Me linjat ajrore, njoftohen strukturat e ministrisë dhe aty bëhen filtrat e parë. Në momentin e vendosjes së këtij protokolli, ne kemi vendosur linja komunikimi kemi vendosur linja protokolli për të na informuar për pasagjerët që vijnë tranzit. Jemi me të gjitha linjat në dispozicion në raport me personat që udhëtojnë tranzit”.

Në lidhje me studentët në kthim, Manastirliu tha ne “kemi informacion që është duke mbërritur apo ndodhet në rrugën për në kthim një vajzë, Xhesila. Jemi të angazhuar për të marrë të gjithë kontaktet dhe për të kaluar të gjitha protokollet edhe në raport me hyrjen e saj në Shqipëri. Sigurisht ajo ka kaluar filtrin nga Kina dhe me sa jemi të informuar ajo do përshkonte rrugën e Romës dhe më pas do të hynte në Shqipëri. Gjithashtu, kemi informacion që janë edhe disa raste të tjera që kanë kaluar nga Kroacia. Praktikisht nga të dhënat që kemi nga ambasada jonë numri rezidentëve në Kinë është 400 ku 60 janë studentë, por rezulton se kanë qenë kthyer edhe për shkak të Vitit të Ri kinez, pra dhe kanë qenë në Shqipëri. Sigurisht, identifikimi po bëhet hap pas hapi nëpërmjet ambasadës tonë në Kinë, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ne si Ministri Shëndetësie jemi duke u kujdesur për të gjithë ato protokolle dhe skeda. Kemi kontrolle të pasagjerëve dhe kur vijnë këtu, plotësohet dhe skeda e shëndetit të pasagjerit ku ka disa informacione të përgjithshme të pyetjeve dhe disa informacione të tjera lidhur me çështjet që lidhen me interesin publik. Ne rastet kur nuk paraqiten me probleme me shëndetin dhe kualifikohen, ndiqet në dinamikë çdo rast”.

“Ne jemi në kontakte dhe struktura e Inspektoriatit Shëndetësor është qoftë në aeroportin “Nënë Tereza”, si dhe strukturat e tjera që janë në porte dhe pikat kufitare janë duke plotësuar të njëjtin format të protokollit në raport me skedat dhe të gjitha ata elementë që kanë të bëjnë me marrjen e informacionit në kohë, verifikimin në kohë, për të patur informacionin e duhur dhe më pas gjurmuar dhe menaxhuar rastin”, tha ajo. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com