Shqipëria, e cila është në prag të zbatimit të fiskalizimit, po përgatitet për të vendosur skemën e rimbursimit të një pjesë të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për qytetarët, çka do të nxisë lëshimin e kuponit tatimor nga ana e ofruesve të mallrave dhe shërbimeve, falë kërkesës së qytetarëve të interesuar për ta tërhequr atë.
Kjo është një skemë e cila po zbatohet në Maqedoninë e Veriut dhe në këtë kuadër Administratat Tatimore të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë nisur shkëmbimin e përvojave.
Delina Ibrahimaj, drejtore e përgjithshme e Tatimeve dhe homologia Sanja Lukarevska, prezantuan në një takim të përbashkët në Shkup, qasjet e secilës administratë në politikat fiskale, të cilat synojnë formalizimin e ekonomisë dhe ndërgjegjësimin e publikut për përfitimet që sjell formalizimi, në zhvillimin e një vendi.
“Shqipëria, e cila është në prag të zbatimit të fiskalizimit, po përgatitet për të zbatuar të njëjtën skemë si Maqedonia e Veriut, e cila nxit lëshimin e kuponit tatimor nga ana e ofruesve të mallrave dhe shërbimeve, falë kërkesës së qytetarëve të interesuar për ta tërhequr atë”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Pas këtij takimi të parë do të nënshkruhet në Tiranë një memorandum bashkëpunimi mes dy administratave tatimore./atsh