Qyteti i Vlorës do të ketë një bregdet të pastër për sezonin turistik të këtij viti. Kjo, falë një investimi të realizuar nga Qeveria Shqiptare dhe bashkia e Vlorës në rrjetin e kanalizimeve në qytet.
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka hartuar këtë projekt që tani po zbatohet. Në zonën e ish-Fabrikës së Çimentos po punohet për shtrimin e rrjetit të ri të kanalizimeve, ndërsa kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli shoqëruar nga Drejtori i Ujësjellës Kanalizime, Dorian Xhelili, ndoqën sot ecurinë e punimeve.
Kryebashkiaku Leli theksoi se “ky investim me vlerë 4.6 miliardë lekë të vjetra është nga më të rëndësishmit që garanton turizëm cilësor dhe ujëra të pastra në gjirin e Vlorës. Investimi radhës do të shkojë në çdo familje për të garantuar lidhjen e kanalizimeve të ujërave të zeza familjare me sistemin e kanalizimeve në të gjithë territorin e Vlorës për të shkuar në pikën që ne kemi përfunduar pak kohë më parë të hidrovorit të qytetit. Të gjitha lidhjet klandestine po zbulohen një nga një ato që derdheshin në mënyrë të pakontrolluar në kanalizimet e qytetit për tu lidhur tani falë këtij projekti me sistemin total të pastrimit të ujërave të zeza”.
Sipas tij, po evidentohen të gjitha lidhjet abuzive të kanalizimeve.
Ai siguroi se për sezonin turistik të këtij viti “Lungomare” do të jetë tërësisht e pastër nga ujërat e zeza./atsh