“2020-a do jetë patjetër përfundimi i Reformës Zgjedhore, Reformës në Drejtësi, do jetë vit i rëndësishëm pas vitit që lamë pas, do jetë i vështirë po ashtu, por një vit së vërtetës”, – deklaroi sot Rudina Hajdari, bashkëkryetare në komisionin për Reformën Zgjedhore.
Në një intervistë televizive, Hajdari tha se, “Partia Demokratike, por edhe partitë e tjera opozitare, e panë veten ngushtë se nuk kishin mundësi për të dhënë kontributin brenda parlamentit. Janë bërë më të ndërgjegjshëm, më të ndërgjegjshëm se një vit më parë se po ta mbani mend, një vit më parë ishin më pak të predispozuar për t’u marrë me Reformën Zgjedhore”.
Sa i takon nismës së mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Hajdari u përgjigj se, “si ligjvënës mendoj se nuk duhet të shpejtojmë dhe të marrim hapa radikalë, sepse nxisin hapa të tjerë radikalë. Nuk është diçka emergjente, sepse mbi të gjitha njerëzit kanë nevojë për procese transparente dhe të drejta”.
E pyetur se cilët kanë qenë mbështetësit më të fortë të saj, Hajdari tha se, “gjatë gjithë kohës që kam qenë në Shqipëri, që u bënë gati 3 vjet që jam rikthyer, mbështetësit kryesorë, përveç familjes, kanë qenë miq të babait, kanë qenë njerëz që më kanë këshilluar dhe u kam besuar. Vazhdoj të kem marrëdhënie të mira me ta, madje i kam forcuar marrëdhëniet, se ata më njohin akoma më mirë. Mbështetem shumë te vetja ime dhe familja ime”.
E pyetur nëse do ta shohim në 2020 si kryetare partie, Hajdari theksoi se, “nuk do ndalem, do shoh mundësinë të jap kontributin tim modest. Demokracia në vend ka çaluar vitet e fundit dhe mendoj se 2020-a duhet të jetë rikthimi në bazë dhe ringritja e një demokracie të shëndoshë. Kjo është për t’u parë. Disa gjëra duhet t’ua lëmë surprizave”./atsh