Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekoruar ish-futbollistin e njohur Genc Tomori me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për pasionin dhe kontributin e spikatur si trajner e futbollist i ekipit Partizani dhe atij Kombëtar, i dalluar për aftësitë e tij në arritjen e rezultateve të larta me ekipet e moshave, si edhe drejtues i përkushtuar dhe i respektuar nga opinioni sportiv”.
“Kënaqësi e veçantë, jo vetëm t’i uroja sot futbollistit të shquar të Partizanit dhe Ekipit Kombëtar, Genc Tomorit, 60-vjetorin e lindjes, por edhe ta vlerësoja me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, në mirënjohje dhe nderim për pasionin dhe kontributin e spikatur si futbollist, trajner dhe drejtues i përkushtuar prej gati tre dekadash me ‘të kuqtë’ dhe Kombëtaren kuqezi, i dalluar për aftësitë e tij edhe në arritjen e rezultateve të larta me ekipet e moshave.
I përshëndes të gjithë sportdashësit dhe dashamirësit e Genc Tomorit me këtë gol të paharruar të tij, që kalonte në avantazh Shqipërinë ndaj Gjermanisë së madhe të Rumeniges dhe Shumakerit, në ndeshjen e 20 nëntorit 1983 për Kualifikueset e Europianit, pas një aksioni fantastik në krahun e djathtë që dinte të realizonte vetëm një Shqipëri sulmuese e Shyqyri Rrelit dhe Medin Zhegës”, u shpreh presidenti Meta. /atsh