Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), zhvilloi sot në në qytetin e Gjirokastrës, një takim informues me përfaqësues të biznesit mbi skemat e granteve, që ofron kjo agjenci.
Dilfirus Vrioni, drejtore e Drejtorisë Marketing, Kërkim dhe Analizë pranë AIDA-s bëri një prezantim të punës së agjencisë dhe mbështetjes që ajo ofron për bizneset në të gjithë vendin, mundësitë për ndërlidhjen e kompanive nëpërmjet platformës B2B në faqen web të AIDA-s, gjithashtu dhe faktin se agjencia është e hapur ndaj çdo komunikimi të jashtëm me qëllim lehtësimin e shërbimeve dhe adresimin e problematikave të hasura, por edhe ndaj kërkesave të ndryshme si pjesëmarrja në panaire.
Ndërsa Albana Zykaj, përgjegjëse e Sektorit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) pranë AIDA-s informoi pjesëmarrësit lidhur me skemat e granteve të cilat AIDA ofron për t’iu ardhur në ndihmë bizneseve.
Pergjatë takimit, përfaqësuesit nga bizneset pjesëmarrëse ngriten çështje dhe problematika konkrete të hasura në punën e tyre të përditshme veçanërisht në sektorin e artizanatit dhe turizmit. Nga pjesëmarrësit u kërkua vëmendje dhe investime të mëtejshme për qarkun. Bizneset kërkuan trajnime, mundësi inovative për promovimin e bizneseve te tyre, asistencë nga AIDA për aplikimin e fondeve, rritjen e kapaciteteve për shitjet online etj. Nga ana e tij Maksim Hoxha, Kryetar i Dhomës së Tregëtisë së Qarkut Gjirokastër u shpreh vullneti që ky qark të përfaqësohet në panaire ndërkombëtare turistike, pikë e cila do të ndiqet nga stafi i AIDA-s. U diskutua mbi promovimin e produkteve “Made in Albania”, gjithashtu për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja në mbështetje të biznesit shqiptar.
Ne vijim të takimit, pjesëmarrësve ju prezantua dhe Rrjeti Europian i Ndërmarrjeve (EEN Albania) dhe shërbimet që rrjeti ofron për NVM-të shqiptare me synim rritjen e aftësisë konkurruese dhe inovative të tyre në tregun Europian e më gjerë.
Këto takime të ndërmarra nga AIDA kanë si qëllim final përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Shqipëri dhe promovimin e produkteve shqiptare nëpërmjet përkrahjes dhe përmirësimit të proaktivitetit ndaj tyre. /atsh