Loading...

Gatime tradicionale turke dhe osmane/ Mastershefja Ebru Baybara Demir “ëmbëlson” Tiranën

Gatimi i ëmbëlsirave tradicionale turke dhe osmane, të gatuara nga mastershefja turke me famë botërore, Ebru Baybara Demir mblodhi sot në Tiranë politikanë, përfaqësues të Trupit Diplomatik, investitorë si dhe drejtues të medias.

Aysegul Erdal Yoruk, gruaja e ambasadorit të Republikës së Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük organizoi sot “Workshopin e gatimit të ëmbëlsirave tradicionale turke dhe osmane”, për të shijuar ëmbëlsirat e shoqëruara me çajin turk dhe kafen turke.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Aysegul Erdal Yoruk theksoi se ky aktivitet zhvillohet në kuadër të veprimtarive të Ambasadës turke në fushën e diplomacisë gastronomike.

Ajo u shpreh se, “vazhdojmë të kujtojmë dhe të ndajmë me vëllezërit dhe motrat tanë shqiptarë, kulturën dhe vlerat tona të përbashkëta në gastronomi”.

“Ebru Baybara Demir, mastershefja turke mes 10 më të mirëve në botë, ka ardhur në Shqipëri për të na njohur me recetat e ëmbëlsirave të kuzhinës tradicionale turke. Ebru Baybara Demir, është edhe një nismëtare e palodhur që përpiqet për të vënë në jetë edhe projektet me përgjegjësi të rëndësishme sociale për të mbështetur veçanërisht përdorimin e farërave vendase, sigurinë ushqimore dhe gratë turke në gjendje jo të mirë”, tha ajo.

Ne, vijoi Aysegul Erdal Yoruk, “kemi një pasuri në kulturën e përbashkët të kuzhinës edhe me Shqipërinë, me të cilën historia jonë e përbashkët dhe lidhjet tona të miqësisë zgjaten deri në shekullin e 14-të”.

Ndërsa mastershefja Ebru Baybara Demir u shpreh mjaft e kënaqur që ndodhej sot në Tiranë për të gatuar ëmbëlsirat tradicionale turke dhe osmane.

Ajo u shpreh se kjo është hera e dytë që ka ardhur në Shqipëri, pas më parë ka qenë në vendin tonë në 29 tetor të vitit 2018 me rastin e themelimit të përvjetorit të Republikës së Turqisë, në festën tradicionale që organizonte ambasada.

“Këto gatime u shpreh ajo prezantojnë vendin tim. Jam krenare që jam ambasadore për promovimin e gatimeve turke. Republika e Turqisë ka një kuzhinë tepër të pasur. Ne mendojmë se falë diplomacisë gastronomike vendet mund të njihen më mirë me njëri tjetrin dhe të jetojnë në paqe me njëri –tjetrin”, tha ajo.

Kryetarja e Grupit të Grave Sipërmarrëse të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi, Ozlem Kal, në fjalën e saj tha se, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi që nga viti 2014 bën një punë të madhe që synon të forcojë akoma më shumë lidhjet e ngushta kulturore, ekonomike, strategjike, tregtare, sociale midis dy vendeve dhe popujve tanë”.

Ne prioritet kemi të zhvillojmë më tej marrëdhëniet tregtare dhe sociale mes Shqipërisë dhe Turqisë, dy vendeve vëllezër, si dhe krijimit të vendeve të reja për punësim./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com