Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur marrëveshjen e sotme për fluturimet Prishtinë-Beograd.
Duke cituar Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg Kryeministri Rama ka theksuar se ky është “një hap i rëndësishëm për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor”.
Rama ka shtuar se ka ende shumë hapa për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë.
“E përshëndes me kënaqësi marrëveshjen e sotme për fluturimet Prishtinë-Beograd, që siç tha Sekretari i NATO-s është “një hap i rëndësishëm për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor”. Ka ende shumë hapa për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë!”, është shprehur Rama.
Kryeministri gjithashtu ka theksuar se shumë mirë ka bërë dhe kryeminstri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj që e përshëndeti këtë hap.
“Shumë mirë bëri edhe Ramushi që e përshëndeti këtë hap. Paqja është tejet e vështirë, por në asnjë rast ajo nuk fitohet me mjetet e luftës dhe popullariteti i përkohshëm që sjellin nganjëherë ato mjete, nuk i sjell asnjë hajër popullit e vendit”, tha Rama.
Një delegacion nga Ministria e Ekonomisë e Serbisë nënshkroi sot një letër synimi me kompaninë Lufthansa në Berlin për nisjen e linjës ajrore Beograd-Prishtinë.
Me nënshkrimin e kësaj letër synimi ekskluzivisht, Serbia njofton se do të njoftojë UNMIK-un dhe KFOR-in për qëllimin e saj për të rivendosur linjën ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të Kumanovës./atsh