Autoritetet italiane specifikojnë se lajmet e përcjella nga kronika në RAI3 për rritje domethënëse të kultivimit të kanabisit në Shqipëri, nuk korrespondojnë me të dhënat e vërteta dhe nuk mund të hedhin hije mbi efikasitetin real në ndryshimin e kultivimit të kanabisit dhe rezultatet e rëndësishme të arritura gjatë viteve të fundit.
Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje zhvillimet e konferencës ndërkombëtare në Napoli në kuadër të projektit IPA 2 , duke theksuar se kjo është e vërteta zyrtare e raportimit skandaloz të RAI3.
“Ja edhe e vërteta zyrtare për raportimin skandaloz të RAI3! Faleminderit autoriteteve të policisë italiane që na ndihmojnë përditë në afirmimin e fitores së përbashkët kundër kultivimit të kanabisit dhe në këtë rast na ndihmuan të fitojmë ndaj një gënjeshtre të madhe mediatike”, u shpreh Rama.
Në kuadër të konferencës ndërkombëtare të projektit IPA 2 që po zhvillohet në Napoli jo vetëm u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer midis dy vendeve në fushën e luftës ndaj krimit të organizuar dhe drogës, por i është dhënë një sqarim i plotë edhe kronikës së Rai3 në të cilën flitej për një raport të rezervuar të policisë italiane mbi rritjen domethënëse të kultivimit të kanabisit në territorin shqiptar.
“Autoritetet kanë specifikuar se shifrat e publikuara nga lajmi i publikuar në kronikën në fjalë, nuk korrespondojnë me të vërtetën dhe nuk hedhin hije mbi efikasitetin e luftës ndaj kultivimit të kanabisit që ka arritur rezultate të rëndësishme gjatë viteve të fundit” – thuhet në përmbledhjen e konferencës.
Në konferencën e Napolit, janë mbajtur edhe takime bilaterale Itali-Shqipëri, pjesë e të cilave ishin zv.ministri i Brendshëm italian, Vito Crimi, drejtori i Policisë së prefekturës, Franco Gabrielli nga pala italiane dhe zv.ministri i Brendshëm shqiptar, Julian Hodaj dhe ambasadorja shqiptare Anila Bitri së bashku me delegacionet respektive./atsh