Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka reaguar sot në lidhje me pushimin e çështjes së lobimit në SHBA, për Bashën dhe dy zyrtarë të tjerë të PD-së.
Braçe theksoi se Lulzim Basha është i vetmi politikan që nuk gjykohet kurrë për akuzat dhe kurrë nuk u trajtua i barabartë para ligjit.
“Përsëri nuk u gjykua për dy akuza të ngritura nga prokuroria! Lulzim Basha ishte dhe mbeti i vetmi politikan që nuk gjykohet kurrë për akuzat mbi të! Kurrë nuk është trajtuar si i barabartë para ligjit! Ky vend ka dy standarde: Njëri për qytetarët dhe cilindo tjetër që nuk ka prokurorët e gjykatësit e tij; tjetri për Lulzim Bashën që ka gjithnjë prokurorët, gjykatësit, avokatët e tij, të cilët kanë emëruar prokurorët e gjykatësit që as hetojnë e as gjykojnë veç një politikan – Lulzim Bashën”, tha ai.
“Ky është ende sistemi i vjetër, i padrejtë, i pandershëm, politik e banal që ka ndërtuar Lulzim Basha me ministrin e tij të Drejtësisë. Kësaj radhe është edhe më e qartë, por edhe më e turpshme; një lobist amerikan, në marrëdhënie ligjore e publike me PD, materializuar me firma të tij e të Lulzim Bashës, ka deklaruar në çdo zyre ligjore të SHBA se ka marrë prej PD përmes një kompanie në marrëdhënie me të, 670 000 dollarë. Në zyrat ligjore të Shqipërisë, Lulzim Basha as që i ka deklaruar ato! Pyetja që priste përgjigje nga prokurorë e gjykatës bashkë, mbetet e thjeshtë: Të kujt janë 670 000 dollarët e paguar e të deklaruar në Amerikë? Lobisti në marrëdhënie me PD e Lulzim Bashën, thotë që janë të PD dhe kompanisë që ka vepruar për llogari të saj”, tha ai.
Braçe thekson se sistemi i vjetër i Drejtësisë është në këmbë.
“Lulzim Basha nuk thotë asgjë! Madje nuk thotë as që lobisti i tij gënjen nën betim! Këtë duhet të zbardhte prokuroria e të gjykonte gjykata. Por Lulzim Basha nuk gjykohet kurrë! Ka gjithnjë gjykatësit e prokurorët që i garantojnë imunitet, mungesën e një gjyqi për të! Ky është sistemi i tij, i tyre dhe është ende në këmbë!”, shprehet ai. /atsh