Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nuk besoj se do të ketë më në Shqipëri një parti politike, flas për nje parti politike të një përmase të caktuar që do t’i hyjë një rruge që u vërtetua që është një rrugë e një vrasje politike, pra që nuk të nxjerr asgjëkundi”, duke folur për bojkotin e zgjedhjeve lokale vitin e shkuar nga opozita.
I ftuar në emisionin “Java” në Radio Televizionin Shqiptar, Kryeministri Rama në një bilanc të ngjarjeve theksoi se “mendoj se ajo ka që ka ndodhur vjet ka qenë një grahmë e madhe dhe e fundit e një politike, e cila tek bojkoti, tek shantazhi, tek braktisja e tavolinës, e garës ka pasur një nga gurët e betejës”.
“Ka qenë një përpjekje e bërë nga ana e tyre se do ia dalin të krjojnë një situatë pamundësie dhe të detyrojne PS dhe mua që të pranoj një zgjidhje çfarëdo duke hapur rrugë, por kjo nuk ka ndohur. Shpresoj që gjërat të ndryshojnë, kanë filluar të ndryshojnë sepse ka rënë teza ‘Ose ik, ose s’ka dhe s’kemi punë me institucionet dhe me procesin demokratik brenda insitucioneve . Opozita ka kuptuar që ka vetëm një rrugë edhe ajo është rruga që të përgatitet dhe të fitojë zgjedhjet, ndërkohë që mbase unë jam pengesa më e madhe për të realizuar dëshirën e tyre që të kthehen në qeveri dhe mesa duket e kanë të vështirë ta mendojnë këtë si një pengesë që kapërcehet duke pritur dhe duke marrë votat”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “mendoj se opozita do marrë pjesë në zgjedhje, pavarësisht se kërkesën mund ta mbajë të shtruar, por nuk ma ha mendja më që do të kemi më parti politike që do të lëshojnë territorin pa luftë politike ose do të tentojnë ta spostojnë lojën politike nga fusha e lojës demokratike në fushën e përplasjeve destruktive dhe me kërkesa thelbësisht antidemokratike.
I pyetur se ishte Kryeministri që e shtyu opozitën drejt qoshes dhe ajo nuk kishte zgjidhje tjetër, Rama tha se “nuk mendoj se kam detyrë të ndihmoj opozitën të bëhet më e fortë as të jetë më e gatshme për të fituar zgjedhjet. Unë kam detyrë që në këtë sfidë me opozitën të bëj atë që është e mundur që opozita të dobësohet natyrisht duke respektuar rregullat dhe duke ndjekur parimet e lojës demokratike pa përdorur në asnjë moment dhe në asnjë formë pushtetin për ta tkurrur, intimiduar, për ta vendosur opozitën në pozitë të vështirë./atsh