Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi publikoi sot një dokument të prokurorisë greke, ku sipas tij, rezulton se kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, është dënuar në Greqi me 3 vjet burg.
Sipas Bardhit, Ismailaj e fshehu ndalimin dhe dënimin në formularin e Dekriminalizimit.
“Ashtu sikurse premtova dy ditë më parë, sot do të publikojmë dokumente zyrtare dhe të pakundërshtueshme që provojnë se Qerim Ismailaj, është person me rekorde kriminale. Sipas vërtetimit me nr. Protokolli 405 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë, Edi Rama i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000. Ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek”, tha Bardhi.
“Sipas ligjit të dekriminalizimit, Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, aq më pak të jetë kandidat për Kryetar Bashkie. Ai është subjekt ndalimi sipas ligjit dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit”, u shpreh Bardhi. //atsh