Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në kuadër të festave të fundvitit, për garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorin, bazuar në Urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm intensifikoi inspektimet duke kryer 733 inspektime në rang vendi, jashtë inspektimeve të planifikuara.
Sipas njoftimit të AKU thuhet se, “trupat inspektuese të AKU-së, kishin në fokus të kontrollit të tyre të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, të cilët prodhojnë, përpunojnë dhe tregtojnë produkte ushqimore si restorante, fast-food-e, pastiçeri, njësi tregtimi të produkteve të mishit dhe nënprodukteve të tij, në tregje të hapura të fruta-perimeve, magazina frigoriferike të produkteve të importuara si dhe stabilimente prodhimi, me qëllim verifikimin e përmbushjes së kritereve të legjislacionit në fuqi”.
“Gjatë këtyre 733 inspektimeve të kryera nga trupat inspektuese ndaj 322 Operatorëve të Biznesit Ushqimor, të cilët kishin shkelje të lehta që nuk cenonin sigurinë ushqimore të konsumatorit, janë marrë masa administrative me ‘Paralajmërim’”, vijon njoftimi.
“Janë marrë masa administrative “Gjobë” në 6 OBU, të cilëve iu konstatuan produkte me afat të tejkaluar konsumi në sasinë 0,08 ton që u asgjësuan, kryesisht lëngje frutash. Janë marrë 56 mostra për analizim veçanërisht në produktet e lëndëve të para. Siguria Ushqimore, sfida jonë e përbashkët”, nënvizon AKU. /atsh