Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ulsi Manja deklaroi sot në Kuvend se nga amnistia përfitojnë 175 të dënuar, të cilët riintegrohen dhe risocializohen më shpejtë në shoqëri.
“Ndryshe nga amnistia e vitit 2016, këtë herë amnistohen vetëm të dënuarit me vendim penal të formës së prerë të vënë në ekzekutim, ose për të cilët ka filluar ekzekutimi i vendimit penal. Nuk parashikohet dhënie amnistie për çështjet në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat si dhe për kallëzimet që ndodhin”, – tha ai.
Manja tha se “arsyeja pse janë përjashtuar nga amnistia subjektet që janë në ndjekje penale apo ende në gjykim nga gjykatat ka të bëjë me respektimin e parimit të sigurisë publike”.
“Nga kjo amnisti përfitojnë të dënuarit për kryerjen e veprave penale të rënda me rrezikshmëri të madhe shoqërore, të dënuarit si pjesë e organizatave kriminale, e grupeve të strukturuara kriminale dhe bandave të armatosura, të dënuarit për krime zgjedhore dhe korrupsion, krime kundër pronës, dhe çdo lloj forme për ndërtim të paligjshëm, ata që janë dënuar për krime kundër mjedisit, zhvillimin e paligjshëm të lojërave të fatit, krime kundër autoritetit të shtetit, drejtësisë etj.”, – tha Manja.
Ai tha se “nuk përfitojnë të dënuarit në mungesë dhe përsëritësit në kryerjen e veprës penale”.
Ndërkohë Manja shtoi se nga amnistia përfitojnë të dënuarit meshkuj me burgime deri në 2 vjet dhe të dënuarat femra dhe të mitur me dënime deri në 3 vjet. “Të gjithë ata që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji ju kanë mbetur 2 vjet pa vuajtur nga dënimi për të dënuarit meshkuj, ndërsa për të dënuarat femra dhe të mitura përfitojnë ato që u kanë mbetur 3 vjet”, – tha Manja.
Ai shtoi se amnistia krijon mundësinë e riintegrimit dhe risocializimit më të shpejtë të tyre në shoqëri, jo vetëm nisur nga qëllimet e humanizmit, por edhe për faktin se këto subjekte të dënimit penal kanë qenë në shumë raste dhe viktima.
“Ne kemi 5351 të dënuar dhe të paraburgosur, 2632 prej të cilëve janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Nga këta të fundit, 175 përfitojnë amnisti. Janë 150 meshkuj dhe lirohen menjëherë 23 të dënuara femra dhe dy të mitur, ndërsa 29 gra dhe vajza të tjera përfitojnë 1/3 e uljes së dënimit”, – tha Manja.
Ai u shpreh se ky parlament në një moment të caktuar mund të shohë edhe mundësinë e një amnistie tjetër për shkak të mbingarkesës./atsh