Loading...

Amnisti për 164 të dënuar/ Gjonaj në Komisionin e Sigurisë: Qëndrim strikt lidhur me kategoritë që përfitojnë

164 të dënuar do të përfitojnë nga ligji për “Për dhënie amnistie”, të propozuar nga qeveria dhe që ka nisur të diskutohet në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj paraqiti sot para deputetëve të Komisionit të Sigurisë detaje nga projektligji i ri për “Dhënie Amnistie”.

“Nga ligji për dhënie amnistie përfitojnë 164 të dënuar, 141 janë meshkuj dhe 22 janë gra dhe 1 i mitur. Kjo si shifër i referohet të dhënave të marra ditën e martë”,- theksoi Gjonaj.

Ajo tha se qeveria në hartimin e projektligjit “Për Dhënie Amnistie” ka qenë e kufizuar në përcaktimin e kategorive, duke qenë strikte sa i takon kategorive të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë.

“Rastet e fundit, ku kemi patur lirimin e disa subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë, me dënime alternative siç kanë qenë lirimet me kusht për të cilat edhe unë si ministër Drejtësie kam marrë masat dhe kam reaguar, duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë reagimin e përshtatshëm lidhur me vendime të tilla të paligjshme në konsideratat e mia dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe për këtë arsye kemi qenë shumë të fokusuar për të kuptuar dhe për të qenë të kufizuar lidhur me kriteret dhe kategoritë të atyre që do të përfitojnë nga kjo amnisti”,- theksoi Gjonaj.

“Për hir të së vërtetës, tha Gjonaj, ka një problematikë, ku edhe nga amnistitë e mëparshme që janë dhënë apo propozuar nga ministrat e mëparshëm të drejtësisë, janë përfshirë të gjitha kategoritë pa vënë kritere ndaluese, duke i krijuar mundësinë e përftimit edhe subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë”.

“Nëse sot apo më përpara në gjykata ka njohje të amnistisë edhe për subjekte kriminale që janë dërguar me burgim të përjetshëm apo dënime të larta, ato kanë përfituar edhe nga amnistitë e mëparshme. Kjo është vërtetuar edhe nga një studim që Ministria e Drejtësisë i ka bërë të gjitha amnistive që nga viti 2012 deri në vitin 2016, ku kategori të caktuara që lidhen me rrezikshmërinë e lartë shoqërore, kanë përfituar amnisti duke i’u ulur dënimi me 1 apo 1.5 dhe 2 vite”,-tha Gjonaj

“E vendosa këtë në prezantim të amnistisë për të patur një pararendje dhe për të kuptuar pse ne, në këtë amnisti kemi qenë shumë striktë lidhur me kategoritë dhe subjektet kriminale që përfitojnë nga amnistia. Pra, për të shmangur dhe ngjarje të ngjashme që kemi jetuar dhe gjatë kësaj periudhe dhe të mos jetë amnistia që t’i japi mundësi subjekteve me me rrezikshmëri të lartë përfitojnë ulje të dënimit”,- sqaroi Gjonaj.

“Në këtë amnisti ka dhe një risi, që ka të bëjë me politikat kundër kriminalitetit që qeveria ka ndjekur dhe një nga këto ka qenë vënia e një kriteri ndalues që është përfshirë, dhe lidhet me futjen dhe mbajtjen e sendeve të ndaluara në IEPV”,-tha Gjonaj.

“Në asnjë prej amnistive të mëparshme nuk është trajtuar kjo. Amnistia përcjell dhe respekton politikat e qeverisë dhe për këtë, ne kemi qenë shumë të kujdesshëm për të mbajtur në konsideratë të gjitha elementët që ne u kemi shpallur luftë”,- garantoi ministrja Gjonaj.

“Nga amnistia përfitojnë të gjithë ato të dënuar, që brenda datës 31/12/19, kanë marrë një vendim të formës së prerë dhe pavarësisht sa kohë u ka mbetur dënimi, janë dënuar me dy vite vuajtje dënimi për burrat dhe tre vite për gratë dhe për të miturit dhe gjithashtu përfitojnë amnisti të dënuarit që kanë marrë çdo lloj dënimi alternativ”,- tha Gjonaj.

“Kategoria tjetër që përfiton, janë të dënuarit me burgim, por që i ka mbetur për të vuajtur 2 vite burg për meshkuj dhe 3 vite femra e të mitur. Amnistohen gjithashtu femrat që janë në moshën baras ose mbi 50 vjeç në kohën kur hynë në fuqi ky ligj dhe të gjithë meshkujt që janë në moshë 60 vjeç ose më sipër nga momenti hyrjes së këtij ligji. Po ashtu, përfitojnë edhe ato të dënuar që kanë qenë baraz ose nën moshën 18 vjeç”,- tha Gjonaj.

“Duke u bazuar në këto kritere, rezulton se janë 164 të dënuar që përfitojnë nga Amnistia. Nga këto 141 janë meshkuj dhe 22 janë gra dhe 1 i mitur. Kjo si shifër i referohet të dhënave të marra ditën e martë”,- tha Gjonaj para deputetëve të Komisionit të Sigurisë.

Ministrja e Drejtësisë garantoi gjithashtu se në projektligjin “Për dhënie amnistie”, ka dhe disa kritere shtrënguese, që vijnë në zbatimi të politikave të sigurisë dhe gjithashtu për të mënjanuar që individë me rrezikshmëri të lartë kriminale të përfitojnë ulje dënimi”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com