Loading...

Akademia e Shkencave ripropozon Kadarenë për çmimin Nobel në Letërsi, Gjinushi: Vepra e tij vlerë për leximin dhe kuptimin e Perëndimit

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i ka ripropozuar Akademisë Mbretërore të Shkencave të Suedisë kandidaturën e shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi, duke vlerësuar jo vetëm nderimin përparues të tij në shkallë ndërkombëtare, por edhe rolin e pazëvendësueshëm në letrat shqipe.

Në Akademinë e Shkencave u zhvillua sot, në ditëlindjen e 84-t të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, një tryezë debati mbi këtë kandidaturë për çmimin Nobel në Letërsi ku kryetari i ASH, akad. Skënder Gjinushi u shpreh se, ” gjuha jonë, gjuha e krijimtarisë letrare në shqip, arriti shkallën më të lartë të fuqisë së saj shprehëse me veprën e Kadaresë”.

“Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në mënyrë këmbëngulëse dhe me bindje të plotë për vendimin e saj, është prej shumë vitesh, tashmë prej dekadash, propozuese e ripropozuese e kandidaturës së tij për këtë çmim, duke e vlerësuar si një çështje merite, nderi dhe drejtësie”, tha Gjinushi.

Ai shtoi se, “origjinaliteti dhe meritat e talentit të Ismail Kadaresë janë të mirënjohura, të vlerësuara dhe të konfirmuara si në shkallë ndërkombëtare ashtu dhe brenda vendit, duke filluar së paku që nga vitet 1980. Letërsia e Ismail Kadaresë lexohet tashmë në më shumë se 50 gjuhë të botës. Anëtar i Akademisë së Shkencave Politike dhe Morale të Francës që nga viti 1995; doctor honoris causa në disa universitete me prestigj të lartë në botë, Ismail Kadare është personaliteti shqiptar më i certifikuar me tituj shkencorë, intelektualë e moralë në Europë e në shkallë globale”.

Gjithashtu Gjinushi në fjalën e tij listoi dhe çmimet ndërkombëtare që shkrimtari Ismail Kadare ka marr duke theksuar se këto çmime që ka fituar shkrimtari përgjatë dekadave kanë qenë dhe janë prova me rëndësi themelore për objektivitetin e këmbënguljes sonë për të propozuar në vazhdimësi nominimin e veprës së tij si vepër e denjë për të fituar çmimin Nobel.

“Në vitin 2005 Kadare fitoi çmimin ndërkombëtar The Man Booker International Prize (Njeriu ndërkombëtar i vitit), i njohur si çmimi i nobelistëve, për të cilin konkurruan autorë nga të gjitha kontinentet dhe me njohje botërore. Ky është çmimi më i lartë që ka marrë letërsia shqipe qysh prej fillimeve të saj deri më sot. Meritat letrare të Kadaresë janë të shpallura edhe në kryeqendra të tjera të letërsisë dhe kulturës botërore. Në vitin 1992 ai fitoi çmimin Prix Mondial Cino Del Duca (Mondial Sino Del Duka)(Francë). Në vitin 2009 iu dha çmimi Asturias, që shenjon mirënjohjen më të lartë për gjithë letërsinë hispanike. Në vitin 2015 shteti i Izraelit i dha çmimin Jerusalem, që jepet për personalitete të letërsisë me ndihmesa të jashtëzakonshme në dobi të lirisë së mendimit. Për kontributet e tij dhënëse e pasuruese në qytetërimin europian, Ismail Kadare është nderuar me urdhërin më të lartë të Francës: kalorës, oficer dhe komandant i Legjionit të Nderit”-, vijoi Gjinushi.

“Gjatë vitit 2019 Ismail Kadare u shpall fitues i tri prej çmimeve më të rëndësishme letrare dhe intelektuale në shkallë botërore: në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ai mori trofeun Neustadt (Njustad), që konsiderohet Nobeli i Amerikës. Me çmimin Pak Kyongni (Pak Knjonjí), që iu dorëzua në Korenë e Jugut, Kadare mori një prej vlerësimeve më të larta në një anë tjetër të globit, në Azi, duke e shtrirë në mënyrë sovrane përmasën e veprës së vet në shkallë botërore. Mirënjohja e tretë e vitit 2019 iu kushtua sërish nga vendi që e promovoi për herë të parë si shkrimtar europian, nga Franca. Presidenti francez Macron i dha atij titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit. Këto çmime e tituj madhor të fituar rishtas e përligjin plotësisht propozimin tone të ri, për dhënien e çmimit Nobel në letërsi Ismail Kadaresë për vitin 2020”-, tha Gjinushi.

Kryetari i ASH dhe akad. Skënder Gjinushi theksoi se propozimi i bërë për Ismail Kadaren ka mbështetjen e shpreh dëshirën e tërë hapësirës shqiptare, pasi roli i veprës së tij në historinë e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar, është i pazëvendësueshëm.

“Jemi të bindur se propozimi ynë ka mbështetjen e shpreh dëshirën e tërë hapësirës shqiptare, pasi roli i veprës së tij në historinë e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar, është i pazëvendësueshëm. Trinia e përfaqësimit të trashëgimisë shpirtërore shqiptare, në shkallë botërore, ndërlidh emrat e Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës dhe I. Kadaresë”-, tha Gjinushi.

Ai shtoi se Ismail Kadare është njëherësh krijuesi protagonist parësor i letërsisë, kulturës, qytetërimit dhe mendimit shqiptar përgjatë mbi 70 vjetëve dhe i ktheu letërsisë shqipe përmasën europiane dhe botërore.

“Është tashmë e gjithëpranuar se, Ismail Kadare është njëherësh krijuesi protagonist parësor i letërsisë, kulturës, qytetërimit dhe mendimit shqiptar përgjatë mbi 70 vjetëve, se ai i ktheu letërsisë shqipe përmasën europiane dhe botërore. Letërsia që ai krijoi është një letërsi misionare, që u ka dhënë lirinë maksimale të mundshme lexuesve shqiptarë në një gjysmë shekulli jete në një shoqëri të kontrolluar ideologjikisht e politikisht. Ne do të rikujtonim në çdo rast, atë që Ismail Kadare pohoi me thjeshtësi në ditën e pranimit të tij në Akademinë Franceze: Nëse letërsia ime, që unë do ta quaja “bukë burgu”, është shijuar dhe shijohet në një botë të lirë si juaja, ky do të ishte vlerësimi më i lartë për ç’ka kam krijuar, sepse brenda veprës sime modeste ju keni shijuar lirinë”-, u shpreh ai.

Në fund të fjalës së tij Gjinushi tha se vepra e tij ka qenë dhe është për disa breza shqiptarësh me radhë një program bujar për leximin dhe kuptimin e Perëndimit.

“Vepra e tij ka qenë dhe është për disa breza shqiptarësh me radhë një program bujar për leximin dhe kuptimin e Perëndimit; siç ka qenë dhe është një projekt letrar për të huajt për të njohur botën shqiptare në Perëndim dhe në botë. Kjo vepër jep dhe do të japë fuqimisht zë, për europianizimin e mendimit shqiptar dhe për mirëpritjen e tij në bashkësinë që i takon”-, përfundoi Gjinushi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com