Loading...

79-vjetori i vdekjes së poetit Gjergj Fishta/ Margariti: Kontribuoi në kulturën shqiptare jo vetëm si poet por dhe si historian i letërsisë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot 79-vjetorin e vdekjes së Poetit Kombëtar, Gjergj Fishta.

“Mbushen sot 79 vite që nga vdekja e Poetit Kombëtar, Gjergj Fishta. Fishta, ky atdhetar i madh. Kontribuoi në kulturën shqiptare jo vetëm si shkrimtar, poet, dramaturg, prozator, por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet”, shprehet ajo.

Gjergj Fishta lindi në Fishtë të Zadrimës, më 23 tetor 1871 dhe u nda nga jeta më 30 dhjetor 1940.

Fishta ishte frat françeskan, arsimtar, shkrimtar, përkthyes dhe po ashtu kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të qeverisë Përmeti në Konferencën e Versajës dhe zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921.

Fishta për gjysmëshekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”.

Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.

Më 6 qershor 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës. Fishta në fillim zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit.

Pas pushtimit italian, më 3 qershor 1939 Fishta emërohet akademik i Italisë. Më 1940, Papa Piu XII e priti atë në një audiencë të gjatë në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Poeti i madh Fishta shkroi dhe la trashëgimi një sërë veprash dhe kryeveprën e tij, “Lahuta e Malësisë”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com