Tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi 7 905 objekte të cilat konsiderohen të pabanueshme nga ekspertët e Institutit të Ndërtimit.
Ndërkohë me terma teknikë “ds2” dhe “ds3”, pra të dëmtuara, klasifikohen mijëra shtëpi të tjera që konsiderohen të dëmtuara lehtë dhe të dëmtuara mesatarisht dhe që numërohen 8 748 objekte të prekura nga tërmeti.
Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu gjatë një interviste televizive u shpreh se “objekte te pabanueshme që janë “ds4” dhe “ds5″, që ne i konsiderojmë objekte me dëmtime të rënda ne kemi afërisht në Tiranë rreth 448 pallate dhe 548 shtëpi, në Durrës 62 pallate dhe 557 shtëpi, në Kavajë 25 pallate dhe 30 shtëpi, në Shijak 30 pallate dhe 550 shtëpi, në Vlorë 24 pallate dhe 596 shtëpi dhe në Kamëz 12 pallate dhe 150 shtëpi.
Ne i kemi klasifikuar që këtu nuk duhet të qëndrohet brenda pasi ka rrezikshmëri. Pastaj sipas VKM-së që ka dalë ne do bëjmë ekspertizën e thelluar dhe do të shohim kush prej tyre është i riparueshëm dhe kush është i pariparueshëm”-, tha Hysenlliu.
“Sot ekspertët gjenden për ekspertizë të thelluar në 20 objekte në Vorë, rezulton se aty disa pallate duhen demoluar. Nesër do jemi në Krujë, Lezhë”-, tha Hysenlliu, por për shumë pallate të dëmtuara rëndë prokuroria mendon se përgjegjësia nuk është vetëm e tërmetit.
Prokuroritë vazhdojnë njëkohësisht hetimet dhe siç deklaron Prokuroria e Durrësit janë nën hetim 235 çështje që lidhen me cilësinë e ndërtimeve jo vetëm pallate por edhe shkolla, e njëjtë sikurse edhe në Prokurorinë e Krujës është përfshirë në hetim edhe shembja e një shkolle e rikonstruktuar gjatë verës 2019.
Edhe akuza e kryeqytetit ka bashkuar në një të vetme dosjet për banesat e dëmtuara nga tërmeti në zonat e Komunës së Parisit, Kombinat, Yzberisht, Porcelan dhe Vorë dhe ku një sërë firmash ndërtimi ,inxhiniere dhe kolaudues janë vendosur nën hetim.
Në këto hetime janë angazhuar edhe ekspertë nga fusha e inxhinierisë. Agron Hysenlliu, drejtor i Institutit të Ndërtimit tha se prokuroria është ajo që përcakton se çfarë materialesh apo objektesh i nevojiten për hetim. /atsh