Dhjetë projekte të mëdha strategjike do të nisin në kryeqytet gjatë vitit të ardhshëm, njofton bashkia e Tiranës.
Në buxhetin e 2020-ës dhe në vijim, Bashkia parashikon të nisë transformimin e Piramidës, në një Qendër për Edukimin dhe Teknologjinë. Kjo qendër do të jetë një mjedis ku do të ndërveprojnë të rinjtë duke përdorur teknologjinë më të mirë nga profesionistë të fushës, si dhe do të ndërlidhet më së miri teknologjia dhe arti.
Po ashtu, parashikohet të nisë transformimi i Kopshtit Zoologjik, ky synohet të zgjerohen sipërfaqet për kafshët dhe parashikohet krijimi i habitateve në mjedise të hapura sa më të ngjashme dhe sa më afër habitatit natyror. Do të vijojë projekti për Tiranën policentrike, i cili ka në qendër krijimin e 5 epiqendrave urbane për kapërcimin e dyzimit qendër-periferi dhe për të nxitur zhvillimin e balancuar të qytetit, të cilat janë Kinostudio, Kombinati, Farkë-Qytet Studenti, Bulevardi i Ri dhe Lapraka.
Ndërkaq, po “punohet për krijimin e një Zone të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik”, në të cilën Bashkia do të ketë rolin e zhvilluesit të kësaj zone duke përmbushur kriteret e legjislacionit në fuqi. Kampusi Universitar në Tiranë si dhe Pylli Orbital janë dy projekte të tjera që në qendër të vëmendjes së vitit 2020″, thotë më tej bashkia.
Ndërkohë që parashikohet gjithashtu, ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe vijimi i punë për zgjerimin e Lanës, duke vazhduar nga Lanabregasi e deri poshtë në Kashar. Po ashtu, sipas bashkisë, dy projekte të tjera strategjike janë axhenda e gjelbër e qytetit dhe ndërtimi i Unazës së Tiranës./atsh