Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se në vitin 2020 do të ketë vetting për noterët dhe përmbaruesit.
Në një takim me gazetarët Gjonaj theksoi se, rezultatet e para të procesit të vetting-ut për noterët në Shqipëri do të dalin në tremujorin e parë të vitit 2020.
“Po kryejmë vetting-un e noterëve, janë pothuajse 700 noterë për të cilët rezultatet do dalin në tremujorin e parë të 2020. U shty pak si vetting për shkak të tërmetit”, theksoi ministrja.
“Po kryejmë vetingun e noterëve, pra verifikimin e titujve të tyre. Po verifikojmë çdo noter sesi e ka marrë licencën”, tha Gjonaj.
Por Gjonaj njoftoi se, procesi i rivlerësimit nuk do të ndalet vetëm te noterët, por do shtrihet edhe te një tjetër profesion i lirë, siç është ai i përmbaruesve.
“Nën veting do vendoset edhe një profesion tjetër i lirë. Vetingut do t’i nënshtrohen edhe përmbaruesit, reformimi do kryhet jo vetëm në aspektin profesional. Aktualisht kemi një regjistër në Ministrinë e Drejtësisë”, u shpreh Gjonaj.
Gjonaj bëri të ditur gjithashtu se, është krijuar një trupë e posaçme speciale e Policisë së Burgjeve që do të shërbejë në kuadër të regjimit 41-Bis për të dënuarit, e cila do të mbrojë edhe drejtuesit e burgjeve.
“Një pjesë prej jush kanë publikuar raste të kërcënimit të drejtuesve të burgjeve, dhe kjo strukturë speciale do t’i mbrojë. Padyshim edhe Policia e Shtetit duhet të ofrojë mbrojtje”, theksoi Gjonaj.