Loading...

Vendimi i KLGJ/ Miratohen për herë të parë gjyqtarët e medieve

Në kuadër të Reformës në Drejtësi janë miratuar për herë të parë gjyqtarët e medieve.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ku ka miratuar në mbledhjen e sotme gjyqtarët për mediat.

“Në përmbushje të detyrimeve ligjore si organ përgjegjës për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit me publikun, Këshilli i Lartë Gjyqësor caktoi në pozicionin e Gjyqtarit për Mediet, për çdo juridiksion apeli, gjyqtarët e mëposhtëm: Vojsava Osmanaj -juridiksioni i Apelit Shkodër, Edlira Petri – juridiksioni i Apelit Tiranë, Desart Avdulaj -juridiksioni i Apelit Durrës, Klodiana Gjyzari – juridiksioni i Apelit Vlorë, Etleva Temo – juridiksioni i Apelit Korçë, Enton Dhimitri – juridiksioni i Apelit Gjirokastër, Lindita Sinanaj – juridiksioni i Apelit Administrativ si dhe Saida Dollani – juridiksioni i Apelit për Krime të Rënda/ për gjykimin e veprave penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin për mediet të KLGJ-së.

Gjithashtu, Këshilli miratoi programin e vlerësimeve etike dhe profesionale për vitin 2020, i cili përmban listën e gjyqtarëve që do të vlerësohen dhe periudhën e vlerësimit përkatës. Me këtë vendimmarrje, i hapet rruga fillimit të procesit për vlerësimin periodik të të gjithë gjyqtarëve, duke mundësuar në vijim dhe lëvizjet paralele apo promovimin e tyre si në shkallët më të larta ashtu dhe në gjykatat e specializuara.

Gjatë kësaj mbledhje, Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit, të L.S, K.B, dhe T.S, si dhe shpalli kërkesën për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Ministrinë e Drejtësisë.

“Për shkak të natyrës konfidenciale të materialeve që u trajtuan në pikën 5 dhe 6 të rendit të ditës, mbledhja vijoi me dyer të mbyllura. Më konkretisht, pasi u njoh me rezultatet e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në Formimin Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për kandidatin z. E.L., Këshilli vendosi skualifikimin e tij. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, sqarohet në njoftim.

“Në vijim të mbledhjes, Këshilli pasi dëgjoi relatorët për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për në Gjykatën e Lartë, vendosi skualifikimin e kandidateve J.RR dhe R.M. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, sqaron KLGJ./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com