Loading...

“U bënë të gjithë ndërtues”/ Inxhinierja Bozo: Kontribut edhe nga vetë individi, nuk ka faj shteti që ndërtuan shtëpi pa themele

Specialistja e ndërtimit, inxhinierja Luljeta Bozo tha sot gjatë mbledhjes së dytë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit se duhet nisur puna pa humbur kohë për të inventarizuar çdo banesë dhe pallat të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Kemi një identifikim të problemeve, por duhet specifikuar se cilat godina janë shembur, cilat janë ato që kanë dëmtime të lehta. Kjo duhet të specifikohet. Kjo duhet bërë shpejt. Kemi sa të duash inxhinierë dhe specialistë. Duhet mbyllur sa më shpejt dhe them se brenda një jave duhet ta kemi këtë pasqyrë, pra se si e kemi pasqyrën e dëmeve”, – tha Bozo.

Ajo shtoi se, “menjëherë njësia vendore ta bëjë një plan dhe ta organizojë punën dhe ta fillojë punë me ata që janë në qiell të hapur. Duhet të këtë një plan, projekti, ekipi dhe afati. Të mbledhin gjithë fshatrat dhe të bëhet e qartë dhe transparente çdo veprim. Kjo duhet të jetë e organizuar. Kanë bërë shtëpi pa themel. U bënë të gjithë ndërtues, por nuk bëhet kështu, një pjesë të përgjegjësisë ta mbajë edhe ai që ka ndërtuar siç ka dashur”.

Bozo theksoi se, “gjithashtu duhet të jemi të qartë dhe me fondin. A do ta mbulojë komplet shteti, apo duhet të japë dhe një pjesë individi. Unë them që duhet të japë dhe individi kontributin e tij, pasi nuk ka faj shteti që ai e ka ndërtuar shtëpinë pa themel. Në këtë kuadër, unë mendoj që një pjesë të kësaj përgjegjësie duhet ta mbajë nga ana financiare ai që ka shkelur të gjitha rregullat dhe ka dashur të bëjë si të dojë. Unë mendoj se asnjë komunë nuk duhet të pranojë rindërtim ose ndërtim nga e para pa projekt”.

“Në qytet kam një shqetësim të madh. Ka objekte që strukturat janë shumë mirë, por ka kaq shumë ndërhyrje, sa nuk jam e sigurt se ç’bëhet më vonë. Janë hequr muret, arkitrarët dhe brezat e betonit. Këto janë ndërhyrje që kanë bërë banorët. Këta që kanë bërë këtë dëm, duhet të përgjigjen. Të bëhen verifikime të objekteve nëse qëndrojnë apo jo. Ligji duhet të përmirësohet, sepse janë bërë shumë shkelje. Shpresojmë që të veprojë edhe gjyqësori. Unë e kam me shumë merak, duhet të vihen në lëvizje njësitë vendore, s’mund ta përballojë këtë vetëm qeveria”, – përfundoi Bozo./atsh