Turqia vijon të sjellë ndihma për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Pas ekipeve turke të kërkim shpëtimit që iu bashkëngjitën specialistëve nga shumë vende të botës për nxjerrjen e personave të mbetur nën rrënoja, tashmë shteti turk ka dërguar edhe ndihma materiale për të gjithë ata që kanë mbetur pa strehë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka falenderuar vendin mik, Turqinë për ndihmën e pakursyer në drejtim të Shqipërisë, e cila sikurse është bërë e ditur tashmë do të pasohet nga një ndihmë akoma më e madhe, ajo e ndërtimit të 500 banesave të familjeve që nuk kanë më një çati të sigurtë.
“Faleminderit qeverisë dhe popullit turk për ndihmën e vazhdueshme për banorët e zonave të prekura nga tërmeti që në momentet e para. Ndihmat e sotme materiale vijnë pas ekipeve të kërkim – shpëtimit dhe do pasohen nga bujaria e pazëvendësueshme për ndërtimin e 500 banesave,” shprehet Xhaçka.
Ndihmat e qeverisë dhe Gjysmëhënës së Kuqe turke kanë mbërritur tashmë në vendin tonë dhe do të shpërndahen në zonat e prekura nga tërmeti. /atsh