Loading...

Traumat nga termeti, si te gjejme qetesine e humbur

Tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit që mori 51 jetë dhe la pas me qindra të plagosur dhe shkatërrim të madh, me siguri që ka për t’u mbajtur mend gjatë.

Përveç atyre që kanë marrë plagë dhe lëndime të shkallëve të ndryshme dhe që janë duke u trajtuar në spitalet e vendit, shqetësim paraqet edhe dëmi psikologjik që kjo ngjarje tragjike ka shkaktuar te njerëzit.
Mjekja psikiatre Arjana Rreli, në një intervistë për gazetën “Panorama”, ka folur për ndikimet që kjo ngjarje ka shkaktuar në shëndetin mendor të njerëzve që u prekën nga lëkundjet, por edhe tek ata që i panë pamjet përmes televizionit.

Rreli kërkoi një vëmendje të veçantë për fëmijët, të cilët sipas saj duhen mbajtur nën një vëzhgim të vazhdueshëm në praninë e specialistëve psikologë dhe punonjës socialë. Sipas psikiatres, nga kjo ngjarje e rëndë, organi që u dëmtua më rëndë është truri dhe rikuperimi i këtij dëmi kërkon një punë të gjatë dhe shumë të kujdesshme.

Kush janë kategoritë e të prekurve nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit?

Ka dy lloje kategorish njerëzish që u prekën nga kjo ngjarje e rëndë nga ana psikologjike. Dihet që kontingjenti më i prekur janë personat që kanë pasur humbje njerëzore, por edhe materiale, të shtëpisë apo pronave të tyre.

Kjo gjë vjen nga fakti se njeriu ndaj çdo humbje është reagues me emocione negative. Për më tepër, kur kjo ngjarje e gjen të pafuqishëm dhe të papërgatitur për të reaguar. Gjithçka deri më tani, reagimet, ankthi apo edhe tronditjet e pësuara janë normale. Kjo gjendje tregohet në të gjitha sjelljet tona.

Si në bashkëveprim apo edhe te sjelljet që kemi me njëri-tjetrin, pasi sjelljet tona kanë pësuar ndryshim.

Ne tani jemi më të shpërqendruar dhe bëhemi më shpejt nervoz. Është pikërisht ky mekanizëm që kërkon shfryrjen e negativitetit të mbledhur brenda me anë të valvuleve që duket se janë racionale, por në fund të fundit krijojnë probleme edhe sa u përket raporteve njerëzore që kemi me njëri-tjetrin.

Cilat janë dëmet psikologjike që rrezikojnë më shumë të prekurit nga tërmeti në Durrës dhe në zonat e tjera?

Ata që kanë pasur shumë viktima në familjet e tyre dhe aq më tepër që tani janë vetëm për ta përballuar këtë situatë, janë personat më vunerabël, te të cilët ndërhyrja nuk duhet të jetë vetëm aktuale, por edhe afatgjatë. Problemet aktuale, nuk janë ato që do të kenë më pas.

Aktualisht, ata janë në fazën e mohimit, siç çdokush që fillimisht e mohon një humbje. Por faza tjetër, që pason këtë fazë mohimi, është ndërgjegjësimi dhe vuajtja. Kjo është pjesa më e rrezikshme, prandaj ndërhyrja te këta persona duhet bërë shumë shpejt. Është e rrezikshme, për shkak se gjendja nuk mbetet vetëm tek ankthi, por fillon komprometimi i humorit.

Gjatë një humbjeje, dihet që humori bie nën nivelin e normës, por te këta persona, kjo ulje e normës së humorit është akoma edhe më e madhe. Për sa i përket çrregullimeve mendore, nuk mund të jepet një përgjigje në tërësi, sepse varet shumë nga vetë personaliteti i gjithsecilit.

Gjithsekush nga ne ka mekanizmat e vetë reagues dhe mbrojtës, kështu që kemi reagime mbi bazën e së kaluarës sonë. Ne nuk mund të themi kategorikisht se çfarë lloje problemesh mendore mund të kenë të ardhmen këta persona.

Një gjë është e sigurt, që çrregullimin e stresit pas traumës, këta persona, por edhe të gjithë ne, do ta vuajnë në një mënyrë apo në një tjetër, që sot nuk mund të thuhet në mënyrë precize.

Çfarë masash duhet të marrin banorët që kanë pësuar trauma psikologjike?

Mesa kam marrë vesh, në terren janë disa ekipe psikologësh, që do të thotë se terapia mbështetëse atyre nuk po iu mungon. Më pas, ata duan patjetër që të ndiqen hap pas hapi për çdo problematikë që mund shfaqet. Dhe gjatë këtyre hapave vlerësohen edhe nevojat e tyre emocionale.

Më pas vlerësohet se nëse nuk do të mjaftojë vetëm psikoterapia, atëherë do të kalohet edhe te përdorimi i medikamenteve, të cilat janë për të rregulluar ekuilibrat fiziologjikë, që prishen gjatë stresit dhe situatave të tilla.

Cili është rreziku që u kanoset fëmijëve nga një situatë e tillë paniku, e cila është krijuar përgjatë këtyre ditëve?

Këshilla jonë e parë është jo vetëm që të sigurohen dhe të mbahen fëmijët më afër këto ditë, por edhe të ndiqen me kujdes në vijimësi. Për fëmijët e prekur direkt, sigurisht që do duhet të suportohen si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht.

Atyre do duhet t’u sigurohet një qendër, ku do duhet t’u mundësohet që të sigurohen nevojat e tyre primare. Fillimisht, njeriu duhet të sigurojë nevojën primare për ushqim e veshmbathje dhe për të ruajtur higjienën e vet. Pra, aspektet ekzistenciale. Dhe pas kësaj, gjithë mirëqenien që nevojitet në një ambient të ngrohtë, i cili të mund të kujtojë ambientin familjar që kanë pasur para ngjarjes, pasi një pjesë e këtyre fëmijëve i kanë humbur familjet e tyre.

Me fëmijët duhet pasur kujdes edhe në premtimet që u bëhen. Të mos harrojmë që ata kanë inteligjencë dhe fantazi për të na kuptuar shumë mirë.

Mbështetja psikologjike me asistencë dhe me punonjës socialë, si dhe me psikolog, do të duhej si një ndërhyrje për suportin emocional të këtyre fëmijëve dhe më pas ata të gjejnë sa më shpejt imazhe nga jeta e tyre e mëparshme, e cila është dëmtuar nga tronditja e tërmetit.

Është me rëndësi që ata të kthehen sa më shpejt në rutinën e përditshme. Edhe pse ne të rriturit mendojmë se fëmijëve gënjeshtrat u bëjnë mirë, nuk është kjo që duhet bërë.

Fëmijëve duhet t’u tregohet realiteti dhe emocionet e përjetuara për të bërë një shkarkim të traumës apo katarsis dhe pastaj ata duhet të sigurohen për t;u kthyer sa më shpejt realitetit. Premtimet boshe nuk janë asnjëherë gjëja e duhur në këtë moment. Pjesa tjetër e fëmijëve që nuk u prekën nga tërmeti, sigurisht janë të prekur nga emocionet, pasi kanë përjetuar reagimet që kanë ndodhur nga pamjet që janë transmetuar përmes mediave vizive. Këto reagime kanë përçuar te këta fëmijë emocione të tepërta.

A duhet pasur kujdes më fëmijët, për sa i përket kontaktit me mediat? Fëmijët e kanë fantazinë të zhvilluar dhe ata mund të ndihen dyfish të lënduar. Në këto kohë, prindërit duhet të jenë afër fizikisht, por edhe emocionalisht te fëmijët e tyre.

Prindërit duhet t’i sigurojnë fëmijët që kjo situatë do kalojë,. duhet t’u shpjegojnë se sa e rëndësishme është që të jenë bashkë, për ta kaluar këtë gjendje dhe se kjo është një gjende

normale për të gjithë. Fëmijëve duhet t’u krijohet mundësia për të bërë aktivitete fizike, artistike dhe argëtuese, pasi këto aktivitete iu mundësojnë që të çlirojnë adrenalinën. Fëmijët duhet të rrinë dhe më moshatarët e tyre, qoftë edhe për të ndarë përjetimet e momenteve të tërmetit, por duhen monitoruar, nga prindërit, mësuesit apo edhe nga një punonjës social.

Në këtë mënyrë neutralizohet çdo shfaqje e mundshme ankthi te fëmijët. Sugjerohet që gjatë kësaj periudhë, ata të mos jenë të ekspozuar gjatë imazheve që ofrojnë mediat, pasi vazhdojnë të shfaqen pamje apo mesazhe që për ta janë të pafavorshme. Sugjerohet që fëmijët të ndjekin më shumë programet e përshtatshme për ta.

Një këshillë për njerëzit që i përjetuan lëkundjet?

Të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm në ato që thonë ekspertët e fushës dhe të mos ndikohen nga ato që lexojnë nëpër rrjete sociale. Kërkimi i qetësisë psikologjike nuk mund të gjendet përmes arritjes apo ikjes, pasi asgjë nuk mund të parashikohet. Ne na duket sikur i ikim së keqes, por nuk mund ta dimë se ku kjo e keqe mund të jetë në një moment të dytë.

Kur je në shtëpinë tënde, është më e lehtë për t’u përballuar një goditje, pasi je në habitatin tënd. Një këshillë që unë mund ta them në këto momente është se nuk duhet abuzuar me gjumin, pasi gjumi është pasuria më e madhe dhe më i dobishmi. Në këto momente, imuniteti, si ai fizik por edhe ai mendor, është më i dobët.

Si duhet të përgatitemi psikologjikisht për tërmetet?

E para është që çdo gjë që na sulmon, na mëson. Pa diskutim, ne me këto tërmete të fundit mësuam të paktën se si duhet të ruhemi në nivelin bazik. Me marrjen e informacioneve që i kemi marrë në mënyrë të bollshme nga mediat, kemi krijuar një bazë për qetësi.

Qetësia është numri një për të mos dëmtuar veten. Edhe nëse nuk e kemi, duhet ta gjejmë brenda vetes. Duhet t’i rikthehemi sa më parë rutinës së përditshme. Duke u gjetur në këtë vorbull negativiteti, energjia jonë vijon të rrotullohet dhe nëse nuk i kthehemi objektivave tanë dhe gjërave të përditshme, do vazhdojmë të fusim veten në këtë vorbull e jo vetëm do të qëndrojmë në sipërfaqe, por edhe mund të thellohemi në negativitet.

Një tjetër gjë e rëndësishme është që duhet gjithmonë duhet t’i drejtohemi profesionistit të shëndetit mendor, duke mbajtur larg komplekset. Sot, thirrja për t’iu drejtuar psikologut, është më e fortë se kurrë.

Nga kjo gjendje e krijuar, truri është organi më i sulmuar. Këtë radhë, përveç frakturave fizike, edhe truri ynë ka marrë fraktura dhe kjo është përtej atyre që u prekën nga lëkundja sizmike. Askush nuk i shpëtoi këtij lloj dëmtimi.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com