Loading...

Thaçi: Ushtria e Kosovës e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit

Sot mbushet një vit kur Parlamenti i Kosovës, me 106 vota pro dhe një abstenim, miratoi tri ligjet që i ndryshuan mandatin Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

Ligjet që u miratuan para një viti ishin: Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Deputetët serbë në parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kundërshtuan formimin e ushtrisë së Kosovës.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.

Në këtë përvjetor Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shprehet se, më 14 dhjetor të vitit të kaluar u përmbyll një proces që kishte filluar më 2014, me të cilin u vunë themelet e Ushtrisë së Kosovës.

“Me ndryshimet në Ligjin për FSK-në i dhamë Forcës së Sigurisë së Kosovës mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë. Tri ligjet që i hapën rrugë transformimit të FSK-së ishin ligjet që kanë marrë më së shumti vota ndonjëherë, duke dëshmuar kështu vendosmërinë e tërë spektrit politik dhe vullnetin e tërë Kosovës për ta pasur ushtrinë tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës, si forcë profesionale me standarde të NATO-s, si forcë shumetnike që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, në tërë territorin e shtetit tonë, është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar aftësitë e veta dhe përgatitjen e lartë në misionet e kërkim-shpëtimit, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit. Ajo tash po i shton kapacitetet për detyra të reja, për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës nga kërcënimet e jashtme, por edhe për t’i ndihmuar aleatët tanë në vendosjen dhe ruajtjen e paqes kudo që shfaqet nevoja”, shprehet Thaçi./KosovaPress/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com