Loading...

Të dielën, mbrëmje artistike në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, Inva Mula: Fillimi i një aksioni humanitar deri më 31 dhjetor

Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula organizon mbrëmjen humanitare pas goditjes së fundit të tërmetit në Shqipëri, më 8 dhjetor, në sallën e koncerteve në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë.

Ftesës së sopranos i janë bashkuar 50 artistë nga fusha e muzikës dhe aktorë të shumtë të cilët përmes kësaj mbrëmjeje do solidarizohen për të mbledhur fonde në ndihmë të prekurve nga tërmeti.

Gjatë një konference për shtyp të organizuar sot në Qendrën Kulturore në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë, sopranoja Inva Mula u shpreh se,” tërmeti na preku shumë thellë dhe ajo që ne sot kemi për detyrë është që të mos jemi indiferent në radhë të parë”. “Kjo mbrëmje bamirësie del nga zemra e neve si artistë. Ky publiku që na admiron ka nevojë të shikojë që ne si artistë jemi pranë jo vetëm me fjalë po konkretisht”, tha ajo.

Mula tha se, “ky nuk është një koncert, por një mbrëmje humanitare ku secili nga ne të përcjellë një mesazh dhe ne të arrijmë të prekim aty ku mundemi dhe me ndihma të vogla për të arritur diçka të madhe”.

“Unë e pata këtë si një domosdoshmëri të cilën e ndava me miqtë e mi dhe në asnjë moment nuk ndjeva hezitim, po përkundrazi, 50 artistët dhanë direkt mbështetjen e tyre për këtë kauzë. Ky do jetë fillimi i një aksioni humanitar pasi ne ditën e diel, këtu, fillojmë një maratonë të gjithë zhanreve artistike”, tha ajo.

Në këtë mbrëmje bamirësie do performojnë artistë të ndryshëm: Eranda Libohova, Irma Libohova, Aurela Gaçe, Jonida Maliqi. Gjithashtu, do të ketë dhe këngëtarë të muzikës klasike, Eva Golemi, Vikena Kamenica, pra do jetë një ndërthurje mjaft interesante që nga muzika e lehtë, deri te klasikja.

Gjithashtu shumë aktorë janë kontribues të këtij aksioni si, Zamira Kita, Mirush Kabashi, Eva Alikaj e shumë të tjerë.

“Kjo do jetë një lëvizje e hapur në muajin dhjetor, që përkon dhe me muajin e festave dhe ne do ta lëmë të hapur si nismë deri më datë 31 dhjetor. Në datën 31 dhjetor do arrijmë në konkluzionin që kjo ndihmë që është mbledhur, ky kontribut i artistëve do shkojë aty ku ka nevojë. Po do të dëshironim që kontributi i artistëve të ndërtonte një shkollë, të shkojë tek fëmijët, pra të shkojë atje ku ka nevojë më shumë dhe ku banorët janë më të dëmtuar”, tha Mula. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com