Aureli dhe Alesio, dy fëmijët që fluturuan nga dritaret e pallatit të tragjedisë në Thumanë u surprizuan sot, ndërsa takuan në Itali sulmuesin e “Juventusit”, Cristiano Ronaldo-n dhe portierin legjendar të “Juventusit” e të kombëtares italiane të futbollit, Gianluigi Buffon.
Në vizitën që u bëri pak ditë më parë në spital dy vogëlushëve që shpëtuan mrekullisht nga shembja e pallatit të tyre, Kryeministri Rama u premtoi se do u sillte respektivisht nga një bluzë, njërit me firmën e portierit Donaruma dhe tjetrit me firmën e Cristiano Ronaldo-s.
Por mesa duket, Kryeministri e tejkaloi sot premtimin e bërë, ndërsa i mori me vete në Itali dy fëmijët.
Në takimin e organizuar në hotelin ku qëndron ekipi i “Juventusit” në prag të sfidës së nesërme me “Lacion”, fëmijët takuan për disa minuta legjendat e futbollit, duke marrë edhe bluzat respektive me autografe.
“Një surprizë për Aurelin dhe Alesjon, dy fëmijët që fluturuan nga dritaret e pallatit të tragjedisë në Thumanë, e që pasi lanë spitalin duhet të rifillojnë rrugën e jetës, që u’a urojmë të gjatë, me shëndet e gëzime”, tha Kryeministri Rama./atsh