Loading...

“Shtëpive tona i mungon drita”/ Gratë e dënuara rrëfejnë historitë

Gruaja është drita e shtëpisë, shtëpive tona i mungon drita. Me këtë mesazh, tre nga femrat që vuajnë dënimin në burgun e grave në Tiranë kanë shprehur pendesë për veprën që kanë kryer. Ato kanë theksuar se kanë pritur me lot në sy, lot gëzimi, lajmin e amnistisë, por janë ankth për të zbuluar se kush do përfitojë

Yllka tha se “gruaja është drita e shtëpisë dhe shtëpive tona u mungon drita”.

“Unë jam Yllka, unë kam 8 vjet këtu e kjo që ka ndodhur këtë herë s’ka ndodhur më parë. Të gjitha kanë qarë nga gëzimi kur morëm vesh lajmin për amnistinë, të gjitha rrinë me zemrën e ngrirë kush do i bjerë fati të dalë. Gruaja është drita e shtëpisë, shtëpive tona i mungon drita”.

Redona e arrestuar për trafik të lëndëve narkotike thotë se është penduar për veprimin e bërë.

“Unë jam Redona 24 vjeçe, jam arrestuar para 3 vite e gjysëm në doganë pasi supozohej se isha duke trafikuar lëndë narkotike. Kam 3 vjet e gjysëm që vuaj dënimin e mund të them që jam penduar shumë, ishte gabim që unë bëra dhe mendoj se ishte më shumë mosha ime e vogël që më detyroi të bëj atë lloj gabimi.

Duke ardhur këtu e duke arritur të njoh e njerëz e histori të tjera kam arritur të kuptoj që gratë këtu s’duhen paragjykuar për asnjë vepër që kanë bërë se ka qenë një moment i gabuar ose për shkak të faktorëve ekonomikë dhe vështirësive familjare që kanë pasur. S’duhen gjykuar aq rëndë nga gjykata për veprime që kanë ndodhur për faktorë të ndryshëm”-, tha Redona.

“Doja t’ju kërkoja edhe që kur gratë plotësojnë afatet para kohe të tregoheshin pak më të lehta për gratë që janë nëna e bija e i mungojnë një familje, një shtëpi ka nevojë për një grua për të qëndruar shtëpi e fortë”-, tha Redona.

Një histori tjetër është ajo e Ermirës, nënë e tre fëmijëve dhe e divorcuar nga bashkëshorti.

“Unë jam Ermira, jam dënuar për trafik ndërkombëtar droge, të hashashit. Nuk jam krenare e më vjen shumë turp në radhë të parë nga vetja e fëmijët, kam 3 fëmijë, por isha e detyruar nga gjendja ekonomike, isha e ndarë me 3 fëmijë që i rrisja vetëm, me detyroi të bëj disa vepra që s’ndihem aspak krenare. Kam 5 jet që vuaj dënimin duke lënë 3 fëmijë vetëm që më presin dita me ditë. E kur më pyet ai i vogli mama kur do vish e nuk di përgjigjen është një ndjenjë që s’mund tua shpjegoj me fjalë. Të jesh këtu brenda është shumë e vështirë. Gjithçka mund të kalohet në jetë por kufizimi i lirisë duhet ta provojë dikush që ta kuptojë. Një nënë në burg do të thotë një familje e shkatërruar, sidomos për fëmijët që s’kanë një nënë pranë ti kontrollojë e ti mbledhë”-, tha ajo.

Kryeministri Edi Rama ishte sot së bashku me ministren Etilda Gjonaj në Burgun e Grave ku do të jepet amnistia për 56 gratë që vuajnë dënimin në sistemin penitenciar shqiptar, ku 28 do të lirohen menjëherë, ndërsa 28-të të tjera do përfitojnë ulje dënimi deri në 1/3-at. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com